Ajo, Nellie Bly, e lindur në Pensilvani në 5 maj 1864 me emrin Elizabeth Jane Cochran nuk kishte nevojë për Zhyl Vernin për të parë fundin e famshëm të romanit të tij “Rreth botës për 80 ditë”. Nju Jork 1889, Joseph Pulitzer pronari i gazetës “The New York World” u habit, pothuaj u tall me propozimin e gazetares Nellie Bly. “Mund ta bëj për më pak ditë!”Pulitzer heziton; një grua? E pamundur! Megjithatë gjaku i tij prej gazetari nuk e tradhtoi dhe pranoi. Kundër të paimagjinueshmes Nellie u nis me bagazhe minimale, strikte; një fustan, letër, bojë, stilograf, lapsa. Ia arriti! Nju Jork, Londër, Hong Kong, San Francisco, Chicago, Nju Jork përsëri. Vetëm me trena dhe anije; nuk kishte mjete të tjera në ato kohë. Kilometra të përshkruar34.986, orë udhëtimi 1356, orë të humbura nga vonesat 377, ditë 72! 8 ditë më pak se Phileas Fogg dhe me dy bonuse; u njoh me Zhyl Vernin në shtëpinë e tij në Amiens dhe kronikat e saj nga çdo vend dyfishuan tirazhin e gazetës.
U bë e famshme, por kishte lindur gazetare. Michael, i ati ishte mullixhi dhe me pagë të ulët. E ëma, amvisë mezi kishte kryer 6 muaj shkollë në një kolegj; nuk kishte më shumë para. Në mes të kësaj varfërie u shfaq asi nën mëngë. Lexoi në gazetën “Pittsburg Dispatch” një shkrim që i këshillonte gratë të mos studionin dhe të mos punonin, por të merreshin me punët e shtëpisë. I shkroi botuesit një letër proteste që e firmosi me emrin “jetimja e vetmuar”. Botuesit i pëlqeu cilësia e shkrimit dhe e punësoi si reportere, por e dërgoi në kronikat e mërzitshme për gra si kopshtari, dekorim, rritje fëmijësh, transmeton Bota.al
U transferua në Nju Jork, kërkoi punë në “The New York World” të Pulitzer-it dhe ky e ngarkoi me një detyrë për një artikull mbi një çmendinë për femra në Blackwells Island. Ajo mendoi një tjetër skemë. Imagjinoi se skema klasike pyetje – përgjigje do të ishte një dështim dhe se kushtet e çmendinës do të ishin të frikshme dhe do të merrte vetëm informata të rreme dhe të ëmbëlsuara. Vendosi ta tregonte jetën nga brenda. Nuk ishte e lehtë të hyje, të thoshte se jam e çmendur dhe të prisje që të të shtronin dukej vetë delirante. Gjeti një mënyrë; u strehua në një pension për femra që punonin në “Second Avenue” me emrin Nellie Brown dhe u integrua në rutinën e jetës së pensionit, por simulonte shenja zhgënjimi si fiksim sysh, përhumbje, britma natën. “Kam humbur baulet e mia. Kam nevojë për to. Shtëpia ime është në Kubë…”
E zonja e pensionit thirri policinë: “Kam një qiraxheshë shumë të çuditshme. Besoj se është e çmendur.” E burgosën dhe u pyet nga gjykatësi Duffy. Nellie këmbëngulte me baulet e humbura dhe shtëpinë në Kubë. Diagnoza; e lojtur, një rast i pashpresë. Gjykatësi urdhëroi mbylljen në çmendinën e Blackwells Island. Ky ishte hapi i parë…
Ushqimi; gjithë ditën një filxhan çaj, mish i ftohtë pa kripë, një patate, tërshërë dhe një fetë bukë pa gjalpë. I prenë thonjtë si të gjitha pacientet. Shumë shpejt e kuptoi sloganin “Që këtu kurrë nuk do të dalësh”. Ishte ferri. Përsëritje e menusë; një gjë e kuqe që e quanin çaj në gota metali si qentë, një fetë bukë e yndyrshme me gjalpë, 5 kokrra kumbulla. Banjoja; një herë në javë me ujë të ftohtë, me një copë sapun dhe herë të tjera pa të, të gjitha pacientet e çdo pavijoni, rreth 20 të tilla, në të njëjtin ujë derisa errësohej dhe trashej.
Dënimet; orë të gjata lakuriq në dyert e pavijonit nën të ftohtin e acartë. Vetëm 16 mjekë për 1600 paciente. Krevati; gomë dhe një çarçaf mbi të, një çarçaf sipër dhe një batanije leshi. Në rastin e një zjarri ishte kurth vdekjeprurës. Të gjitha dyert dhe dritaret të mbyllura. Infermierët tiranë dhe përtacë. Shënimet e Nellie-t; “Kjo çmendinë është një kurth njerëzor… për minj.” Shkrimi “10 ditë në shtëpinë e të çmendurve” shkaktoi polemika. Gazeta trefishoi tirazhin dhe qyteti i Nju Jorkut caktoi miliona dollarë për kushtet e atij vendi të denjë për romane gotike. Nellie Bly u shndrrua në një yll. Në të nëjtën mënyrë denoncoi shfrytëzimin në një agjenci për pastruese duke kërkuar punë me emrin e Sally Lees. Agjencia ishte një biznes i pistë. Vajzat duhet të paguanin 1 dollar për një vend si kamariere, infermiere, rrobaqepëse me një pagë prej 14 dollarësh në muaj duke shtuar këtu edhe larjen dhe hekurosjen që e kërkonte shtëpia e caktuar. Vajzat paguanin edhe për strehim, me pak fjalë të punonin vetëm për një çati të ndyrë dhe shumë herë nën ngacmimet seksuale të të zotërve të shtëpisë. Kronika e saj shkaktoi skandal, por që nuk ndryshoi asgjë.
Ajo shkroi: “U ngjita në shkallët më të ngushta, më të errëta dhe më të përpjeta dhe kisha fatin e keq të mbërrija në një dhomë pa ajrosje dhe me duhmën e punonjësit që ngarkonte arkat. Orari nga 7 e mëngjesit në 6 të darkës për 3.5 dollarë në javë që mezi arrinin për të marrë dhomën me qira me tavan të ulët dhe që nuk paguheshim derisa mësuam zanatin.” I vuri titullin shkrimit të saj “Skllavet e bardha”. Në vitin 1895 në moshën 31 vjeçare u martua me milionerin Robert Seaman (73), pronar i fabrikës së prodhimit të kutive prej metali, kazanëve të plehrave dhe kaldajave “Iron Clad Manufacturing Company”. Martesë e shkurtër; Roberti vdiq pas 9 vitesh dhe Nellie e braktisi gazetarinë për t’iu përkushtuar fabrikës. Në krye të saj ndërmori disa masa sanitare. Reduktoi orët dhe rroga më të përshtatshme. Megjithatë fabrika falimentoi sepse ajo nuk barazpeshoi humanizmin me prodhimin, shitjen dhe financat. Iu kthye gazetarisë. Tashmë nga një gazetë tjetër pati ndikimin e saj me kronikat në favor të votës së gruas dhe që nga fronit i lindjes në Luftën e parë Botërore. Ishte një nga femrat e para korrespondente të konflikteve të luftës.
Vdiq nga një pneumoni në vitin 1929 në moshën 57 vjeçare. Në Brooklyn kujtohet nga një park dëfrimesh që mban emrin e saj. Në vitin 1998 – shumë vonë – hyri në “National Women’s Hall of Fame”. Xhiroja e botës në më pak se 80 ditë dhe më pak se personazhi i Vernit nuk është arritja e saj më e madhe. Ajo vuri vulën, inaguroi gazetarinë e investigimit 7 dekada më parë se Tom Wolfe, Truman Capote, Gay Talese…dhe me një listë të gjatë, ajo që hyri në një gazetë me një letër të nënshkruar si “jetimja e vetmuar” e cila në moshën 25 vjeçare u njoh me baltën dhe dhimbjen e çmendurisë.