Real Madridi e mban një epërsi goxha komanduese, 3:1, para ndeshjes së kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit sonte në Anfield, falë një paraqitjeje të shkëlqyeshme në ndeshjen e parë.
Megjithatë, ky rezultat nuk është se i ka sjell fat apo i ka kryer shumë punë në të kaluarën në këtë garë. Sepse Real Madridi ka dështuar shpesh ta mbrojë rezultatin 3:1 nga ndeshja e parë në këtë garë.
Gjatë historisë, në 10 raste Real Madridi e ka fituar ndeshjen e parë me rezultat 3:1, por vetëm gjashtë herë ia ka dalë të kalojë në fazën tjetër pas ndeshjes së kthimit, derisa është anuluar katër herë të tjera.
Në sezonin 1971/72, Real Madridi e mposhti 31: PSV Eindhovenin në shtëpi në ndeshjen e parë, por e humbi 2:0 ndeshjen e kthimit në udhëtim dhe u eliminua nga UEFA Cup falë golit si mysafir.
Të njëjtin fat, madrilenët e përjetuan edhe në sezonin 1978/79 në Kupën Evropiane kur Grasshopper e fitoi 2:0 ndeshjen e kthimit në shtëpi, pasi Reali e kishte fituar 3:1 ndeshjen e parë në shtëpi.
Pastaj, në sezonin 1981/82, në UEFA Cup, Kaiserslautern e shkatërroi 5:0 Real Madridin, duke e bërë të pavlerë fitoren e Real Madridit 3:1 në shtëpi.
Përvoja tjetër e keqe me rezultatin 3:1 i ndodhi në sezonin 1992/93 në çerekfinale të UEFA Cup kundër Paris Saint-Germain, pasi fitorja 3:1 në shtëpi nuk i krye punë sepse u mposht në Paris me rezultat më të mirë, 4:1.
Zinedine Zidane dhe lojtarët e tij do të kërkojnë që sonte në Anfield ta shmangin një fat të tillë.