Historiani Valon Jashari promovon librin për Kosovën lindore gjatë viteve 1999-2001

Prishtinë | 21 Nën 2018 | 15:57 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është promovuar libri i historianit Valon Jashari “Kryengritja Çlirimtare në Kosovë Lindore gjatë viteve 1999-2001″, i cili ka 222 faqe, ku trajtohen 28 tema që paraqesin gjendjen e Kosovës lindore.

Ardian Emini, recensent i librit, tha se ky libër do të sjellë material të ri për studiuesit, sepse paraqiten fakte të reja të asaj kohe, raporton Ekonomia Online.

“Atakon fillim e shekullit 21. Ngjarjet që kaplojnë vitet 99-2001. Ky libër paraqet ngjarje të historiografisë sonë, që zhvillohen në Kosovën lindore. Në këtë drejtim, Valoni shfaq një sintezë interesante që fillon me rëndësinë historike e politike në Kosovë, vazhdon me ngjarje tjera që nga themelimi i zonave ushtarake dhe trajton pozitën gjeopolitike të Kosovës që e ka edhe sot. Trajton vlerat e shkrimit dhe frymën patriotike, që vërehen në përmbajtje të librit”.

Recensenti Nuri Behxheti tha se gjatë realizimit të librit ka pasur vështirësi në qasjen e burimeve, sidomos në Bujanoc, pasi tha se autoritetet serbe nuk kanë lejuar të merren në intervista apo t’i dorëzojnë burime të tjera të formave të tjera, raporton EO.

Behxheti ka thënë se asnjë studiues i ri nuk mund t’i futet kësaj teme pa e marrë këtë libër dhe të bazohet në të.

“Po bëhen njëzet vjet që po mbyllet ajo që quhet lufta e Kosovës apo lufta e UÇK-së. Ne flasim shpesh kur do bëhet një histori, pse s’po shkruhet, cilat janë burimet, ku janë arkivat… Pas dy dekadave kemi shumë pak materiale sa i përket historisë moderne. Ky libër është një bazë serioze e historisë. Është e pashmangshme të mos merret në konsultim ky libër. Ky libër ua lehtëson ekstrem punën. Ky nuk është vetëm autor, ky është institut në vete, duke qenë se ka marrë intervista të shumta dhe disa edhe nuk kanë pranuar të bëjnë intervista”.

“Një pjesë e problematikës së Bujanovcit nuk është e përfshirë, por nuk është mangësi e autorit, por e autoriteteve që nuk kanë dhënë intervista, por Preshevën e ka parthakuar relativisht mirë. Burimet e televizioneve i ka përfshirë mjaft mirë. Literatura për Preshevën është mirë e konsoliduar dhe burime të tjera”.

Valon Jashari, autor i librit, ka thënë se libri mund të shfrytëzohet nga historianët dhe të përdoret për të nxjerrë hulumtime të reja mbi këtë çështje.

“Nuk mund të them se kam vu pikë, se kam arritë t’i përmbledhë të gjitha ato ngjarje të rezistencës ushtarake të asaj zone. Në trajtimin e këtij botimi janë shfrytëzu shumë burime, që nga ditarët e luftës, intervista të autorizuara, gjithsesi kam qenë i specifikuar për ato që kanë ndodhur gjatë atyre viteve”.

Të ngjashme