Holanda në alarm, vërshimi i lumenjve i rrezikon vendbanimet

Prishtinë | 17 Kor 2021 | 11:11 | Nga Ekonomia Online

Shërbimet emergjente në Holandë po vazhdojnë të qëndrojnë në gjendje të lartë gatishmërie të shtunën, pasi lumenjtë e stërmbushur nga uji i reshjeve po rrezikojnë qytete e fshatra në provincën jugore, Limburg.

Dhjetëra mijëra banorë të këtij rajoni janë shpërngulur në dy ditët e fundit, ndërsa ushtarët, zjarrfikësit dhe vullnetarët punuan vrullshëm gjatë tërë ditës së premte deri në mbrëmje për t’i përforcuar digat dhe për t’i parandaluar vërshimet.

Vërshimet në Gjermaninë fqinje kanë lënë së paku 133 të vdekur pas reshjeve masive këtë javë, ndërsa 20 të tjerë kanë vdekur në Belgjikë. Sidoqoftë, Holanda deri të shtunën në mëngjes nuk ka raportuar për ndonjë viktimë.

Megjithatë, rritja e nivelit të ujit në lumenj e lë të hapur mundësinë për shkatërrim nga vërshimet në rajon dhe gjendja mbetet kritike, thonë autoritetet lokale.

Niveli i ujit në lumenj në qytetet si Venlo dhe Roermond arritën shifër rekorde të shtunën dhe pritet që sasia të mos ulet deri në mbrëmjen e së dielën, thanë autoritetet. Kjo përbën rrezik për mbushjen e digave dhe objekteve të tjera për mbrojtje nga uji, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Agjencia ANP raportoi se shumë rrugë në qytetin Roermond dhe përreth tij janë vërshuar nga uji. Reshjet që nisën në Gjermani e Belgjikë pritet të vazhdojnë edhe në Holandë në ditët e ardhshme, për t’i vendosur më pas mbi Detin Verior dhe në bregun perëndimor të këtij shteti.

Të ngjashme