Kapiteni i Holandës, Virgil van Dijk, shpreson që fitorja 3:0 ndaj Gjermanisë të shtunën në Ligën e Kombeve do të jetë një pikë kthese për përfaqësuesen që ka përjetuar një krizë në vitet e fundit.
“Shpresoj që të jetë pikë kthese. Nuk kemi qenë në këtë rrugë për një kohë të gjatë, por duket se jemi në rrugën e duhur”, u ka thënë Van Dijk gazetarëve pas fitores së shënuar në “Amsterdam Arena”, shkruan sot Koha Ditore.
Ishte fitorja e parë e Holandës ndaj Gjermanisë në 16 vjetët e fundit.
Holanda dështoi të kualifikohej në Botërorin në Rusi këtë verë dhe në Evropianin 2016 në Francë, në një rënie dramatike, pasi përfundoi e treta në Botërorin 2014 në Brazil.
“Asnjëri nuk do të kishte besuar po të thoshte dikush para ndeshjes se do të fitonim 3:0. Ne duhet të shijojmë ndjenjën, por nuk kemi arritur ende synimin”, ka thënë Van Dijk, që shënoi njërin nga golat, ndërsa të tjerët i shënuan Memphis Depay e Georginio Wijnaldum.