Homazhe në Kuvend për nder të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi

Prishtinë | 22 Gus 2017 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Trupi i pajetë i ish-kryeministrit Bajram Rexhepi, i cili vdiq dje pas një sëmundjeje të rëndë, është vendosur në Hollin e Kuvendit të Kosovës, nën përcjelljen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Bashkëshortja e ish-kryeministrit Rexhepi së bashku me vajzën dhe familjarë të tjerë, janë duke pritur pranë arkivolit ngushëllime nga qytetarë, miq, e zyrtarë shtetërorë e politikë, raporton Ekonomia Online.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka kryer homazhe tek arkivoli i ish-kryeministrit Rexhepi, i cili vdiq më 21 gusht, në një spital në Turqi.

“Mençuria, urtësia dhe largpamësia e tij do të na udhëheqin në rrugën tonë për përparimin dhe forcimin e shtetit tonë.  Lavdi jetës, veprës dhe emrit të dr. Bajram Rexhepit”, ka thënë presidenti, në një mbledhje komemorative, mbajtur në Teatrin Kombëtar.

Thaçi ka thënë se në karrierën politike tredekadëshe, Bajram Rexhepi ishte ndër  personalitetet emblematike me virtyte të rralla në rrugën e realizimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, Rexhepi u shqua për guxim, profesionalizëm dhe humanizëm qysh në vitet 1996, 1997 e më tej duke shëruar luftëtarët e lirisë.

“Dr. Bajram Rexhepi ishte mjeku i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vitet 1998-1999, ai gjendej kudo ku kishte beteja: sa në Shalë, sa në Llap, sa në Drenicë dhe Mitrovicë, përherë pranë ushtarëve të plagosur”.

Një ditë më parë, presidenti Thaçi mori vendim për shpalljen e ditës së sotme, 22 gushtin, ditë zie në Kosovë, në shenjë nderimi për ish-kryeministrin e parë të Kosovës së pasluftës.

Kadri Veseli nderon Bajram Rexhepin

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, bëri homazhe para trupit të pajetë të Bajram Rexhepit, i cili gjendet në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Bashkë me Veselin homazhe kanë bërë edhe nënkryetari i PDK-së Xhavit Haliti, Memli Krasniqi si dhe anëtarë tjerë nga PDK-ja.

Ambasadori O’Connell nderon Bajram Rexhepin

Ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Connell ka bërë homazhe për Bajram Rexhepin, në hollin e Kuvendit ku edhe po mbahet trupi i pajetë i ish kryeministrit.

Shpend Ahmeti bën homazhe para trupit të Rexhepit

Homazhe ka kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti si dhe figura tjera politike.

Për ta nderuar ish-kryeministrin Rexhepi, homazhe ka bërë edhe drejtori i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni me bashkëpunëtorë.

Sejdiu bën homazhe para trupit të pajetë të Bajram Rexhepit

Në hollin e Kuvendit ku aktualisht gjendet trupi i pajetë i ish kryeministri të parë të Kosovës Bajram Rexhepi, ka shkuar për të bërë homazhe edhe Fatmir Sejdiu.

Ish-presidenti me këtë rast ka ngushëlluar edhe familjarët e Bajram Rexhepit. Ndërkaq deri më tani shumë politikanë e kanë nderuar figurën e Rexhepit duke bërë homazhe për të.

Hoti bën homazhe para arkivolit të Rexhepit

Kandidati për Kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti, ka bërë homazhe para arkivolit të ish-Kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Mustafa bën homazhe para arkivolit të Bajram Rexhepit

Kryeministri në detyrë,Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendës kryeministri Hajredin Kuçi, ministrja në detyrë e Kulturës, Rinis dhe Sporteve Vlora Dumoshi, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Skender Hyesni, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri kanë bërë homazhe para arkivolit të Bajram Rexhepit.

Mustafa është nënshkruar në librin e ngushëllimeve. Para Mustafës me bashkëpunëtorë homazhe kanë bërë edhe deputetja e LDK-së Vjosa Osmani dhe deputeti i AKR-së, Korab Sejdiu.

Haradinaj homazhe para trupit të ish-kryeministrit Rexhepi

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, njëherit edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe pranë arkivolit të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi në hollin e Kuvendit.

Homazhe ka bërë edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Homazhet kanë nisur në ora 10 dhe do vazhdojnë deri në orën 12.

Trupi i ish-kryeministrit ka arritur në Aeroportin e Prishtinës sot në mëngjes. Varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 16:30 në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Shipol të Mitrovicës.


screenshot_14

Të ngjashme