David Hooper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Prokuroria nuk po ua jep materialet dhe provat të cilat ia kishte ofruar Thaçit kur ky i fundit ishte intervistuar nga ta, raporton Gazeta Express.
Avokati britanik ka thënë në seancën e sotme paragjyqësore që Prokuroria gjithashtu duhet t’i ofrojë të gjitha dokumentet që lidhen me të akuzuarin ose deklaratat e ndonjë dëshmitari.
“Unë nuk jam person që bëj gjeste teatrale”, tha Hooper, duke shtuar se mocioni i dorëzuar para pak ditësh ku shprehet pakënaqësia e mbrojtjes “ka dalë sepse s’jemi të kënaqur me mënyrën e nxjerrjes së materialeve”.
“Kryesore është që Prokuroria të japi të gjitha dokumentet që lidhen me një të akuzuar ose me një dëshmitar në intervisten që ka dhënë ky person, ndërkohë që jepet edhe deklarata apo intervista”, tha Hooper. “Ne kërkojmë që kjo të bëhet në të ardhmen”, shtoi ai.
Avokati përmendi se kur Thaçi u intervistua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në fund të korrikut të vitit të kaluar, atij i ishin ofruar rreth 60-70 faqe material, të cilat Prokuroria heziton t’ia japë mbrojtjes.
“Z. Thaçi është marrë në pyetje dhe na kanë treguar për të 60-70 faqe të intervistës. Atij i kanë treguar gjatë asaj kohës prova të shumta materiale”, tha Hooper.
“Ne kemi kërkuar nga Prokuroria që të na i japi këto. Ata na kanë thënë që e kanë prioritizuar këtë kërkesë, por nuk na i kanë dorëzuar deri në dorëzimin e mocionit tonë para pak ditësh”, tha avokati.
Ai tha se avokati me të cilin Thaçi kishte shkuar për intervistim, kishte marrë një tufë materialesh me zotimin se nuk do t’i fotokopjonte ato.
“Prokuroria i dha mbrotjes një tufë materialesh në intervistën e korrikut, me zotimin që ai nuk do t’i kopjonte apo skanonte në asnjë mënyrë dhe ai iu përmbajt këtij zotimi. Prokuroria kishte një tufë materialesh që mund t’i dorëzonin. Nuk ka të bëjë kjo me Covidin”, tha Hooper.