Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Sh.A. “Hortikultura” për vitin 2017.
Vlora Spanca, nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ka theksuar se pasqyrat financiare të Ndërmarrjes “Hortikultura” nuk prezantojnë pamje të drejtë.
“Pasqyrat financiare nuk prezantojnë një pamje të drejtë, në të gjitha kemi dhënë opinion të kundërt, ku 789 mijë euro janë të përhapura. Nuk ishte hartuar raporti nga matja e kënaqshmërisë së konsumatorëve. Kontrolli i menaxhimit të përgjithshëm ka nevojë për përmirësime, menaxhimi i shpenzimeve ka nevojë për përmirësim”.
Driton Selmanaj, kryetar i komisionit nga radhët e LDK-së, tha se në këtë komision asnjëherë nuk ka ardhur raport më me vlerësim negativ, pasi që ky raport ka dallim në buxhet rreth 800 mijë euro, që sipas këtij komisioni është shumë e madhe, raporton Ekonomia Online.
“Është vlerësimi më negativ i mundshëm, për pasqyrat financiare. Na duhet të thërrasim edhe kryetarin e Komunës së Prishtinës këtu me diskutu, që shefi ekzekutiv është pa kontratë, zyrtari i prokurimit prej vitit 2010 nuk ka kontratë të rregullt. Është raporti prej të këqijve që kemi pasë në raportim”.
Isak Rakovica, nga ndërmarrja “Hortikultura”, ka thënë se gjendja financiare varet prej aksionarëve të cilët i raporton përmes bordit.
“Kjo ndërrmarrje nuk ka bord funksional që nga viti 2015. Kjo ndërmarrje u sqarua se ky buxhet prej 800 mijë eurosh i mbetur i hapur është për arsye se janë lëshuar probleme teknike, për të cilat komisioni kërkoi që edhe Komuna e Prishtinës të raportojë në komision”.
“Kjo ndërmarrje ka pasë në vazhdimësi auditimin përmes zyrës së prokurimit kur këtë vit për herë të parë kemi auditimin nga ZKA dhe jemi ndërmarrja e parë lokale që po auditohemi nga ZKA. Gjendja financiare varet prej aksionarëve të cilët i raporton përmes bordit”.
Sipas Rakovicës, deri 93% e shpenzimeve shkojnë për pagat e punëtorëve, raporton EO.
“Në plan të biznesit kërkojmë një buxhet të madh, sepse në gjysmën e dytë komunës së Prishtinës i mbetet buxhet. Deri 93% kemi shpenzime në paga të punëtorëve. Çdo vit kemi kry auditimin e brendshëm, dhe nuk kemi pasë probleme”.
Driton Selmanaj tha se të gjeturat në këto pasqyra financiare ngjallin dilema.
“Të gjeturat që janë këtu ngjallin dilema. Janë gabime të paraqitura në pasqyrat financiare. Ky raport nuk prezanton shumën e hyrjeve dhe daljeve të parasë”.
Rakovica me arsyetimin se ndërmarrja nuk ka bord funksional nuk po arrin të ketë funksionalitet në menaxhimin e financave.
“Pa pasë bord nuk ka mundësi me pasë funksionalitet. Realizojmë pak procedura të prokurimit”.
Shqipe Pantina, nga PSD-ja, tha se ai që duhet të raportojë para është bordi.
“Ata që duhet të vijnë të raportojnë këtu është bordi. Pasqyrat financiare a i përgaditni ju apo drejtoria e shërbimeve publike. Nëse i përgaditni ju ka hapësirë për vërejtje”.
“Ne bëjmë fakturimin në bazë të kontratës që e kemi, nga zyra e prokurimit të komunës së Prishtinës. Këta 187 punëtorë i marrin pagat me kohë, ne çdo muaj dërgojmë faturat për t’i nënshkruar në komunë të Prishtinës dhe na kthehen mjetet”, u përgjigj Isak Rakovica.