Vlerësimet e “TripAdvisor” për hotelin “Vilina Vlas” janë të përziera. Vetëm pak prej tyre përmendin se ky vend dikur ishte kamp përdhunimi – dhe nëse nuk flisni gjermanisht apo frëngjisht, nuk do ta kuptoni fare. Të tjerat janë një përzierje ankesash të zakonshme për dhomat e papastra dhe lavde entuziaste për pyllin dhe burimet natyrore të ujit të nxehtë.
Hoteli po ashtu paraqitet edhe në ueb-faqen turistike për qytetin historik të Vishegradit, si dhe në edicionet më të vjetra të udhëzuesit të vetëm të Bosnjë-Hercegovinës nga Bradt. Kështu, mysafirët e painformuar që udhëtojnë përmes Vishegradit munden – dhe e bëjnë – të rezervojnë në një ndërtesë që dikur është përdorur për vrasje, përdhunime dhe tortura nga një grup sadist paramilitar më pak se 25 vjet më parë, shkruan sot Koha Ditore.
Edhe pse dyshekët mund të jenë ndërruar, dhe muret të jenë lyer, kornizat e shtretërve ku flenë turistët sot janë po të njëjtat ku janë sulmuar me dhjetëra femra. Holli i vjetër i hotelit është i veshur me të njëjtit gurë, që më 1992 u desh të pastrohej nga gjaku, dhe vizitorët që shfrytëzojnë pishinën lahen në atë që dikur ishte terren i vrasjeve.