Hoti: Bruto produkti vendor u rrit rreth 4 për qind

Prishtinë | 28 Mar 2017 | 16:09 | Nga

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja Njomza Emini, ka raportuar ministri i Financave, Avdullah Hoti, lidhur me përmbushjen e veprimeve të agjendës evropiane dhe nga Plani Kombëtar për zbatimin e MSA-së, që bien në fushë-veprimtarinë e kësaj ministrie.

Në fillim të këtij takimi ministri Hoti ka folur për dy çështje, atë të zbatimit të reformave të agjendës evropiane, në pikat që bien në fushë-veprimtarinë e Ministrisë së Financave, si dhe për detyrimet që ka kjo ministri ndaj Planit Kombëtar të MSA-së.

“Sa i përket agjendës së reformave evropiane, tek shtylla e parë e cila është qeverisja e mirë, ne jemi përkrahës në atë që ka të bëjë me përgatitjen e koncept-dokumenteve të tri ligjeve bazike të administratës publike, siç është Ligji për Shërbimin civil, Ligji për Pagat dhe ai për organizimin e administratës shtetërore”, tha Hoti, duke shtuar se Ligji për Pagat është dorëzuar në Kuvend, por pastaj qeveria ka vendosur që ta tërheqë atë, me kërkese të KE-së. Këto tri ligje, sipas tij, do të vijnë si pako në Kuvend, ndërsa ka sqaruar faktin se përgjegjësia për këto ligje është e Ministrisë së Administratës Publike.

Sa i përket çështjes së prokurimit publik elektronik dhe të detyrueshëm në institucionet publike, ministri Hoti theksoi se tashmë janë në zbatim të plotë të vendimit të qeverisë të muajit mars 2016, i cili vendim, sipas tij, vendos datat se kur fillon të zbatohet dhe të bëhet i detyrueshëm prokurimi elektronik.

Në vijim, ministri Hoti ka sqaruar se në shkurt të këtij viti qeveria ka miratuar strategjinë e prokurimit publik 2017-2021, e cila, sipas tij, parasheh masat që duhet ndërmarrë në KRPP, me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të kornizës ligjore, në rritjen e efikasitetit, transparencës, llogaridhënies, si dhe avancimet tjera që duhet të ndodhin në këtë drejtim.

Sa i përket ekonomisë joformale, ministri Hoti tha se do të dilet me strategjinë e re dhe do të rishikohet plani i Veprimit për vitet e ardhshme.

Përkitazi me këtë, ai ka përmendur një draft-raport i cili tregon se mbi 2/3  e veprimeve që janë paraparë në strategjinë 2014-2018 për luftimin e ekonomisë joformale, janë përmbushur.

Tutje, ai ka folur edhe për obligimet që ka kjo ministri në kuadër të Planit Kombëtar për zbatimin e MSA-së. Ministri Hoti vlerësoi se këtu më shumë kërkohet raportim për progresin në fushën ekonomike dhe në punësim.

Ai ka theksuar se bruto- produkti vendor në vitin 2016 është rritur afër 4 për qind, importi i mallrave ka shënuar rritje në 5.17 për qind, njësoj edhe eksportet, duke përmendur kështu një ngecje të vogël për arsye të pauzës disamuajshe të Ferro-nikelit, që tashmë është aktivizuar. Ministri Hoti po ashtu tha se edhe sistemi financiar është mirë i kapitalizuar.

Në vijim të këtij takimi, Hoti është përgjigjur në çështje të shumta që u ngritën nga anëtarët e Komisionit: Vjosa Osmani, Fatmir Xhelili, Bislim Zogaj e Time Kadriaj.

Pas raportimit të ministrit Hoti, Komisioni ka shqyrtuar një sërë projektligjesh, me amendamente të komisioneve funksionale. Me këtë rast, Komisioni shqyrtoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, me amendamentet e Komisionit funksional, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Kryetarja e Komisionit, Njomza Emini, sqaroi se çështjet në këtë projektligj nuk janë të rregulluara në mënyrë specifike me legjislacionin e BE-së dhe se kjo fushë është kompetencë e brendshme e politikave të shteteve anëtare të BE-së. Ky projektligj u përkrah nga Komisioni.

Në vijim, Komisioni ka përkrahur për procedim në seancë edhe për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për kontrollin dhe mbrojtjen e kufirit shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-21, me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Krejtësisht në fund, Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për automjete, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Përkitazi me këtë projektligj, Emini ka sqaruar se komisioni funksional ka propozuar një nen të ri dhe se për këtë çështje duhet të sigurohet se nuk cenohet zbatimi i obligimeve që janë marrë në kuadër të marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit.

Projektligji është përkrahur nga Komisioni.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme