Hoti: Deçani dhe komunat tjera në Kosovë po e kompletojnë infrastrukturën sportive

Prishtinë | 20 Tet 2020 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, sot mori pjesë në përurimin e Palestrës Sportive në Deçan, e cila ka kapacitet me mbi 1500 ulëse, ndërsa vlera e investimit është rreth dy milionë euro.

Me këtë rast, Kryeministri Hoti, para të pranishmëve tha se është kënaqësi dhe nder që bashkë me Ministren Dumoshi të jetë në përurimin e kësaj salle të bukur, në këtë vend të bukur dhe në këtë ditë të bukur.

Duke përgëzuar Ministren Dumoshi, e cila me entuziazëm po i çon përpara projektet, Kryeministri Hoti tha se është me interes që sot është kompletuar kjo sallë, e cila është e standardeve ndërkombëtare.

“Deçani dhe komunat tjera, gjithandej nëpër Kosovë po e kompletojnë krejt infrastrukturën sportive për të qenë pjesë e komunitetit sportiv ndërkombëtarë”, tha Kryeministri Hoti, duke theksuar se Deçanit, Pejës dhe kësaj ane nuk i mungojnë sportistët të cilët në shumë sporte e kanë bërë krenarë Kosovën.

Duke uruar sportistët për përurimin e sallës së re, Kryeministri Hoti tha se, bashkë me Kryetarin dhe Ministren, sapo të kalojë situata e pandemisë, do të kthehen për të parë lojëra të bukura në këtë sallë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme