Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se deklarata e përbashkët me Serbinë që trajton këtë çështje, e miratuar në Bruksel në majin e këtij viti, do ta ndihmojë shumë Kosovën në zbardhjen e fatit të këtyre personave, raporton Ekonomia Online.
Siç ka konsideruar ai, një ndër pjesët më të rëndësishme të kësaj deklarate është formimi i komisionit të përbashkët që kryesohet nga Bashkimi Evropian, i cili deri tani nuk ka qenë i përfshirë në këtë proces.
Tutje, Hoti tha se me këtë deklaratë, Kosova do të ketë qasje në dokumentet sekrete të shtetit serb, përfshirë edhe ato të klasifikuara.
Hoti ka folur edhe për vështirësitë që kanë hasur deri te nënshkrimi i deklaratës, si dhe për termin e aprovuar “personat e zhdukur me forcë”, teksa ka treguar se qëllimi i termit, por edhe i gjithë deklaratës, është trajtimi i dinjitetshëm dhe zbardhja e krimeve.
“Deklarata e aprovuar në Bruksel për Personat e Zhdukur, për të cilën kemi punuar prej shtatorit të vitit 2021. Pas shume sfidave që kemi pasur me këtë deklaratë, pas shumë ndryshimeve qe janë bërë, nga ana e Serbisë, por edhe nga ana e Brukselit në raste të caktuara. Megjithatë, kemi arritur ta ruajmë një substancë të deklaratës. Qëllimi ynë kryesor ka qenë që të kemi në Bruksel një deklaratë që ta ndihmojë sadopak çështjen e personave të zhdukur në zgjidhjen e fatit të tyre. Në gusht të vitit 2022 kemi qenë shumë afër deklaratës, por Vuçiq në momentin e fundit është tërhequr nga nënshkrimi. Deklarata qe është miratuat me 2 maj të vitit 2023 është deklarata e njëjtë që ka qenë e përgatitur në gusht të vitit 2022”.
Siç bëri të ditur ai para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, puna e komisionit të përbashkët me Serbinë, i kryesuar nga BE-ja, pritet të fillojë së shpejti.
“Një prej pjesëve më të rëndësishme është formimi i komisionit të përbashkët që kryesohet nga Bashkimi Evropian. Deri tani BE nuk ka qene bashkë me ne në ketë proces. Parashihet që pas 60 ditësh nga aprovimi i deklaratës, pra 2 majit, të formohet komisioni, të mbahet mbledhja e parë dhe të fillojë puna jonë”, tha ai, raporton EO.
“Çështja tjetër që është shumë e rëndësishme sepse ka qenë kërkesë e familjarëve të personave të zhdukur që 20 vjet, është qasja në dokumentet sekrete të shtetit serb. Do të kemi qasje në arkivat e policisë dhe ushtrisë serbe. Me këtë deklaratë kemi qasje në të gjitha dokumentacionet, duke përfshirë edhe ato sekrete dhe të klasifikuara”.
“Çështja tjetër është termi ‘personat e zhdukur me forcë’. Ky term nuk ka ekzistuar askund, e kemi futur ne në deklaratë. Ky term është refuzuar nga Serbia për shkak se frikësohej se për shkak të termit do të kërkojmë edhe përgjegjësi juridike dhe do ta akuzojmë Serbinë për krimet e luftës. Jemi pajtuar që ky term të përdoret. Nuk ekziston term personat e zhdukur me dhunë në gjuhën angleze”.
Ndërsa, i pyetur nga Duda Balje, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, se a është e gatshme Kosova t ’i dokumentojë krimet e luftës, Hoti tha se janë të përgatitur si komision për personat e zhdukur, por jo edhe për krime lufte.
Ai ka shtuar se kanë arritur të harmonizojnë të dhënat përgjatë viteve.
“Mendoj se jemi pak mangët për dokumentimin e krimeve të luftës, mirëpo si komision për personat e zhdukur, ne jemi dhe kemi qenë gati”.
“Komisioni nuk funksionon vetëm, ka edhe Policinë e Kosovës, njësitin për krime lufte qe janë shumë te përgatitur në këtë drejtim, edhe Institutin për Mjekësi Ligjore, që po ashtu ka ekspertë dhe institucionet tjera relevante. Jemi gati të punojmë kurdo që Brukseli të jetë gati. Kemi të dhëna që i kemi trashëguar nga organizatat ndërkombëtare”, tha ai.
Ndërsa, deputetja nga PDK-ja, Ariana Musliu Shoshi ka thënë se në Komision do të duhej të raportonte zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.
Hoti ka folur edhe për ndryshimin e statusit, për çka edhe Musliu-Shoshi e ka përmendur.
“Unë nuk jam i shqetësuar, i shqetësuar dhe i dëshpëruar jam me disa media për keqpërdorimin e sinqeritetit tim. Unë kam bërë një ndryshim teknik në status, disa media më kanë quajtur edhe gënjeshtar. Fjalën dhunë dhe forcë e kam përmendur në tekst”, ka përfunduar ai.