Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti nuk do të koordinohet me presidentin, Hashim Thaçin para vizitës për në Uashington. Nga presidenca kanë thënë se Qeveria nuk ka kërkuar takim me të parin e shtetit e as përfaqësues nga kjo zyrë në takim.
Kryeministri Avdullah Hoti nuk është koordinuar as këtë radhë me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, për takimin në Uashington.
Nga zyra për Informim në presidencë kanë bërë të ditur për Gazetën Express se Hoti nuk ka kërkuar takim me Thaçin para nisjes për në Uashington, si dhe nuk ka kërkuar një përfaqësues nga presidenca për të shkuar në Shtetet e Bashkuara.
“Kryeministri, deri më sot, nuk ka kërkuar takim me Presidentin për t’u koordinuar rreth përfaqësimit dhe qëndrimeve shtetërore në procesin e dialogut në Uashington. Po ashtu, Zyra e Kryeministrit dhe Kryeministri nuk kanë kërkuar as përfaqësues në këtë takim nga Zyra e Presidentit, i cili udhëheq me politikën e jashtme. Përkundër që mungojnë përpjekjet për koordinim, Zyra e Presidentit bën thirrje për përfaqësim sa më gjithëpërfshirës në dialogun me Serbinë, sepse mungesa e koordinimit ndërinstitucional dhe mungesa e unitetit politik e dobëson pozicionin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës.
Merret vesh se bashkë me Hotin do të udhëtojë për në Uashington zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, zëvendëskryeministrja Albulena Balaj Halimaj, ministri Arban Abrashi, ministrat nga radhët e AAK-së, Meliza Haradinaj – Stublla dhe Selim Selimi, koordinatori Skënder Hyseni dhe stafi përcjellës i tyre, që janë këshilltarë dhe asistentë.
Presidenca i kishte reaguar Hotit edhe gjatë vizitës së parë në Bruksel për bisedimet Kosovë-Serbi, që kishin ndodhur në kohën kur presidenti Thaçi po intervistohej në Hagë. Nga kjo zyrë kishin deklaruar se Hoti nuk kishte kërkuar takim me Thaçin e as nuk ishte koordinuar me të për bisedimet.