Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti dhe deputetja Hykmete Bajrami morën pjesë në takimet e nivelit të lartë në Berlin mbi konkurrencën gjeo-ekonomike dhe Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Konrad Adenaur Stiftung dhe Këshilli Ekonomik i CDU-së.
Në ditën e partë të vizitës, bashkë me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Hoti dhe Bajrami u takuan me zyrtarë të lartë, si Gunther Oettinger, Komisionier për Buxhet në Komisionin Evropian, me të cilin shtruan nevojën që mbështetja buxhetore e BE-së për Kosovën të jetë e orientuar në projekte të mëdha dhe visibile, që kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Sipas komunikatës të LDK-së, në takimin me Dr Joachim Bertele, Hoti dhe Bajrami diskutuan për liberalizimin e vizave dhe dialogun Kosovë-Serbi ku theksuan qëndrimin e LDK-së se tema e këmbimit të territoreve nuk duhet të hapet, duke përshëndetur qëndrimin e Gjermanisë lidhur me këtë.
Në takime të tjera, si me Sekretarin Parlamentar të Ministrisë Federale për Çështje Ekonomike dhe Energjetike, Presidentin e nderit të Këshillit Ekonomik të CDU-së, Kurt Lauk, deputetët e Bundestagut Patrick Sensburg dhe Marian Wendt, Frenk Priess nga KAS-i, Martin Henze dhe të tjerë, u diskutua gjerësisht roli që duhet të ketë BE-ja në Ballkan karshi insistimit të madh të Kinës për të qenë prezentë në rajon.
Në ditën e dytë të qëndrimit, Hoti dhe Bajrami morën pjesë në konferencën e Këshillit Ekonomik të CDU-së, ku të pranishmëve iu drejtuan Kryetarja e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, Kryetari i Bundestagut Gjerman, Wolfgang Schauble, Kryetarin e Grupit Parlamentar të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, Ministri Federal i Shëndetësisë, Jens Spahn, Kryetarin e FDP-së, Christian Lindner, dhe personalitete të tjera.
Kosova është e bekuar që ka miq si Gjermania, e udhëhequr nga CDU-ja, parti simotër e LDK-së në kuadër të familjes më të madhe politike në Bashkimin Evropian, EPP.