Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kanë bërë homazhe, me rastin e vdekjes së këngëtarit të njohur Ismet Peja, raporton Ekonomia Online.
Hoti dhe ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, janë nënshkruar në librin e kujtimeve i vendosur para objektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në Prishtinë.
Ata kanë vlerësuar lart jetën dhe veprën e Ismet Pejës, i cili u nda sot nga jeta në moshën 83-vjeçare.
“Bëmë nderime të ikonës së muzikës shqiptare, i cili do të mbahet mend për këngët e tij. të cilat nuk ka shqiptar që nuk i di, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare”, tha kryeministri.
“Këngëtari Ismet Peja ka hyrë në historinë artistike të Kosovës. Ne të gjithë jemi rritur me këngët e tij, dhe sot vërtet është ditë e dhimbshme për familjen e komunitetin artistik. Por ne do ta kujtojmë gjithmonë më këngët e tij”,.
Ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, ka thënë se lajmi i mëngjesit për vdekjen e Ismet Pejës, ishte i trishtë.
“Në mëngjes ishte një lajm i trishtë për ikjen nga kjo botë e doajenit të muzikës popullore. Ne do të përkujdesemi për ceremoninë në Gjakovë. Në orën 14:30 do të jenë homazhet dhe në ora 15:00 varrimi”, tha ajo.
“Ndonëse kohë pandemie, ne po tregojmë respektin institucional për artistin e madh e cili ka dhënë shumë për kultivimin e këngës së mirëfilltë popullore”, tha ministrja.