FMN: Mos i shpenzoni 2 miliardë € për veteranët

Prishtinë | 18 Nën 2016 | 11:26 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) porosit Qeverinë e Kosovës që mos të shpenzojë 2 miliardë euro për veteranët e luftës, duke anashkaluar projekte tjera si: rrugët, shkollat, spitalet dhe infrastrukturën.

Këto shqetësime i ka ngritur udhëheqësi i Misionit të FMN-së, Jacques Miniane, në një konferencë për media, i cili nga java e kaluar ka qenë në vizitë në Kosovë për të rishikuar zbatimin e marrëveshjes SBA që Ka Qeveria e Kosovës më këtë institucion dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Miniane, tha se Kosova me këtë numër të cilin e ka të veteranëve dhe invalidëve të luftës gjatë viteve në vazhdim rrezikon humbjen e dy miliardë eurove.

“Kosova ka të drejt të nderojë heronjtë e saj të cilët në thelb kontribuuan për shtetndërtimin e këtij vendi. Numri i veteranëve dhe invalidëve që ka sot Kosova do të harxhojë dy miliardë euro, përgjatë viteve në vazhdim. Mendoni çfarë do të ndodhë me rrugët, shkollat, spitalet dhe infrastrukturën e vendit me humbjen e këtij buxheti”, tha Miniane.

Sipas tij, deri më tani Qeveria e Kosovës ka plotësuar gjitha kushtet të cilat i ka parashtruar FMN-ja. Por sipas tij, kjo reformë për veteranët e luftës është esenciale.

Hoti: Me FMN-në jemi pajtuar për skemën e veteranëve

avdullah-hoti

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se janë pajtuar me FMN-në, për hapat që do t’i ndërmarrin për të formuar skemën e veteranëve të qëndrueshme afatgjate.

“Qeveria ka aprovuar koncept dokumentin për ndryshimin e Ligjit për Veteranët e Luftës dhe do të fillojnë me amandamentimin e këtij ligji, sipas marrëveshjes me FMN-së, dhe deri në fund të këtij viti presin aprovimin e ndryshimeve të ligjit në Kuvend, pasi që aprovimi i ndryshimeve është parakusht për përmbyllje me sukses të rishikimit të dytë dhe të tretë të marrëveshjes më FMN-në”, ka thënë Hoti gjatë një konference të vizitës përmbyllëse të Misionit të FMN-së.

Ministri Hoti ka theksuar se kanë konstatuar se trendet ekonomike janë pozitive. Ekonomia në vitin që shkoi është rritur për 4.1 për qind, ndërkaq këtë vit dhe vitin që vjen pritet të sillet pak a shumë njësojë.

Fokusi i diskutimeve gjatë kësaj vizite ka qenë në dy drejtime: Rishikimi i zhvillimeve ekonomike dhe financiare gjatë këtij viti në kuadër të programit dhe përmbushja e kritereve të parapara në program; dhe dakordimi për hapat më tutje për vitin e ardhshëm.

“Sa i përket zhvillimeve të këtij viti dhe përmbushjes së kritereve të programit është konfirmuar nga Misioni i FMN-së së deri më tani implementimi i programit është duke ecur shumë mirë. Reformat e ndërmarra kanë siguruar një rritje prej 4.1 për qind në vitin e kaluar, ndërkaq për këtë vit dhe vitin që vjen rritja ekonomike pritet të ketë të njëjtin trend”.

“Të gjitha caqet fiskale dhe kriteret strukturore janë përmbushur me sukses. Ka filluar zbatimi i prokurimit elektronik. Ndërkaq të hyrat janë duke performuar shumë mirë dhe deri në fund të vitit pritet që të kalohet plani për të hyrat tatimore. Në fakt rritja e të hyrave tatimore është më e lartë se rritja ekonomike, që tregon se po bëjmë progres të mirë drejt zvogëlimit të ekonomisë informate dhe përmirësimit të performancës së ATK-së dhe Doganës”, ka thënë ministri Hoti.

Po ashtu ai ka thënë se shpenzimet janë duke ecur sipas planifikimeve, e që me gjithë rritjen e shpenzimeve në disa skema sociale i kanë mbajtur nën kontroll shpenzimet e tjera korente.

“Presim që vitin 2016 ta përmbyllin me sukses me një deficit të arsyeshëm brenda rregullës fiskale”, ka thënë Hoti.

Sa i përket buxhetit 2017 ai ka thënë se është i mirë dhe është mbështetur nga FMN-ja.

“Ky është buxheti më i lartë dhe më i qëndrueshëm që ka pasur Kosova deri më tani. Ky buxhet parasheh shpenzime prej mbi 2 miliardë euro, por që nuk rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore, pasi deficiti është i menaxhueshëm dhe brenda rregullës fiskale. Ka rritje të shpenzimeve prej 50 për qind dhe mundëson kryerjen e obligimeve që ka qeveria të krijuara me vite të tëra”, ka thënë Hoti.

Ismajli: Sistemi bankar  mirë i kapitalizuar

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Lulzim Ismajli, tha se sistemi bankar mbetet likuid, profitabil dhe mirë i kapitalizuar. Ai shtoi se kualiteti i aseteve është duke u përmirësuar, siç reflektohet në uljen e kredive të këqija, gjendja e të cilave në fund të shtatorit është rreth 5%.

“Është bërë një progres jashtëzakonisht i mirë në përmirësimin e përmbarimit të kontratave e cila është duke ndikuar në uljen e vazhdueshme të normave të interesit. Jemi duke bashkëpunuar vazhdimisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar për funksionalizimin e kornizës Makroprudenciale”

“Gjithashtu me kërkesë të Bankës Qendrore të Kosovës, jemi duke pranuar Asistencë Teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për sektorin e sigurimeve në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen në këtë sektor”, tha Ismajli.

Të ngjashme