Hoti garanton një vit pune me pagesë për çdo të ri që kryen fakultetin

Prishtinë | 27 Maj 2017 | 13:56 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një bashkëbisedimi me të rinj në Prizren, ka thënë se plani i tij qeverisës parasheh që çdo i ri që kryen fakultetin të ketë një vit pune me pagesë, ndërsa më pas ata do të ndihmohen nëpërmes fondeve shtetërore për të zhvilluar biznese të reja.

“Plani i jonë qeverisës ka top prioritet rininë dhe punësimin e saj. Për të gjithë të rinjtë që kryejnë fakultetin ne garantojmë një vit pune me pagesë. Më pas do të krijojmë fonde për t’i ndihmuar ata që të kyçen në tregun e punës ose do t’i ndihmojmë me fonde për krijimin e bizneseve të reja”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se LDK nuk e ka problem gjetjen e fondeve, sepse nëpërmes luftimit të krimit, korrupsionit dhe luftimit të evazionit fiskal ne kemi arritur shifrën dy miliardë euro në buxhet. “Në fund të mandatit të ri, buxheti do të arrijë në tre miliardë dhe kjo do të mundësojë financim të projekteve për punësimin e të rinjve”, ka thënë Hoti.

Hoti i ka kritikuar oponentët politikë, të cilët në parlament më shumë brengosen për hallet e tyre se për nevojat e qytetarëve.

“E kam vështirë t’i prezantoj përfaqësuesit e LDK-së, sepse janë secili më i mirë se tjetri. Kam pas nderin e veçantë me marrë besimin e LDK-së, një parti 27-vjeçare, me gjenerata të mrekullueshme. Tash e kam marrë besimin me i pri brezit të Republikës. Për mua është përgjegjësi e madhe, me i pri këtij ekipi të jashtëzakonshëm“, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se nuk ka procese të rëndësishme për Kosovën dhe në të cilat nuk ka pri LDK-ja.

“Në vitet e 90-ta askush nuk ka besuar në kauzën për liri e barazi, por është LDK-ja ajo që e ka çuar këtë kauzë përpara. Askush nuk ka besuar se një vend i vogël si ne, me më pak se dy milionë qytetarë mund të kemi aleancë me ShBA-të, por është Presidenti Rugova dhe LDK-ja që i kanë arritur ato pa asnjë hezitim”, ka thënë Hoti .

Hoti ka thënë se është prapë LDK-ja gjatë luftës, që e ka zhvilluar luftën, me këta luftëtarë që i kemi përballë, është prapë LDK-ja që i ka themeluar institucionet menjëherë pas luftës, që e ka shpallur pavarësinë dhe tash ne, Brezi i Republikës e kemi për obligim që Kosovën ta çojmë në Evropë, aty ku Presidenti Rugova e ka vendosur në postulatet kryesore të LDK-së.

“Jam shumë i bindur që me këtë përkrahje të madhe që po e kemi kudo që po shkojmë, që me këtë ekip të mrekullueshëm, me partnerët që na janë bashkëngjitur pa hezitim, duhet të punojmë shumë sepse nuk guxojmë të lejojmë që rinia jonë të përjetojë atë që e ka përjetuar deri tani”, ka thënë kandidati i LDK-së dhe koalicionit për kryeministër.

Kryetari i Degës së LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se Prizreni ka pas traditë në ruajtjen e vlerave Rugoviane dhe këto vlera po përtërihen me të rinj.

“Ne jemi krenar që i përkasim kësaj gjenerate dhe trashëgimie politike, e cila po rinohet me të rinj. Rinia e LDK-së po e përqafon programin tonë sepse LDK po krijon ardhmëri për ta dhe për gjithë Kosovën”, tha ai.

“Ne nuk kërkojmë poste jo,  ne kërkojmë besimin e qytetarëve për të kryer punë, ne jemi teknokratë për të kryer punë. Ju garantoj që në ekipin tim do të jenë njerëzit më profesionistë. Nëse për diçka ka vuajt ky vend, ka vuajt për politikanë të ndershëm”, ka thënë ai.

 

 

Ai ka kërkuar nga të gjithë që të dalin të votojnë duke thënë se nuk mund të lejojnë që një parlament të kthej vendin në skenë të gladiatorëve. Hoti ka thënë se do ta dalin bindshëm fitues në zgjedhjet e 11 qershorit.

Hoti ka folur edhe për listën e kandidatëve që i është ofruar qytetarëve, duke thënë se secili është më i mirë se tjetri, duke shtuar se brezi i Republikës është bërë bashkë për ta quar Kosovën përpara.

Kurse Haxhi Avdyli, kryetar i Degës së LDK në Prizren njëherësh kandidat për deputet tha se janë krenarë që i përkasin kësaj filozofie politike.

“Rinia jonë e LDK po e përqafon programin sepse po e din sepse LDK po krijon ardhmërinë për ta. Të njëjtën kohë me LDK po vjen dhe po krijohet një rini e cila do të jetë bartëse e proceseve të së ardhmes”, ka thënë ai.

Ai iu ka drejtuar Hotit duke i thënë se ky është njeriu i cili ka rritur buxhetin e vendit.

 

 

Të ngjashme