Po bëhen më shumë se një javë që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ende nuk e ka bërë publik vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ndonëse është kërkuar edhe nga partitë tjera opozitare, raporton Ekonomia Online.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se rritja e shpenzimeve për 80 për qind e ka dërguar në 566 milion euro koston e lejuar të shpenzimeve të sektorit të energjisë.
Megjithatë, ai shtoi se krizën energjetike nuk e ka sjellë kjo qeveri por mos veprimet e saja e kanë përkeqësuar gjendjen energjetike në vend.
“Çështja e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike është vërtetë shqetësuese. Krizën energjetike nuk është që e ka sjellë kjo qeveri por mos veprimet e kësaj qeverie e kanë përkeqësuar jashtëzakonisht shumë gjendjen. Shqetësuese poashtu është fakti që pavarësisht që ZRRE është institucion në vete, kryeministri i vendit ka qenë akteri kryesor në mbështetjen dhe nxitjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. U bënë më shumë se një javë që zyra e rregullatorit ende nuk e ka bërë publik vendimin sepse rritja e shpenzimeve për 80 për qind e ka quar në 566 milionë euro koston e lejuar të shpenzimeve të sektorit të energjisë. Nuk është e qartë se çka përfshihet brenda gjithë atyre shpenzimeve kur dihet që ka edhe një subvencionim shumë gjeneroz nga ana e qeverisë”, tha Hoti.
Protestat për ta kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë, për Hotin duken të drejta. Ndërsa kur është pyetur se a do të marrë pjesë LDK-ja në protesta të tilla, ai thotë se vendimi për një gjë të tillë i takon Kryesisë së partisë.
“Tash kauza që është duke ndjekur një parti politike që është jo parlamentare është plotësisht e drejtë. Nuk ka kauzë më fisnike, më qytetare që të kundërshtohet një vendim i tillë me mjete kushtetuese përfshirë edhe protesta për të dalë kundër një vendimi të tillë që është plotësisht i pabazuar. Dhe këtë e kemi kundërshtuar edhe në seancë. Pra nuk kanë lënë derë tjetër përveç protestave. Nuk është që kemi vendim të partisë që ne në baza partiake të ftojmë njerëzit të dalin në protestë. Vendimi i takon kryesisë së LDK-së, por është kauzë fisnike për të kundërshtuar me mjete demokratike një vendim të tillë”, thotë ai.
Sipas deputeti të LDK-së, viti 2022 do të jetë mjaft i vështirë, dhe se kjo qeveri nuk ka fare vizion se si të përballet me të gjitha këto sfida.
“Viti 2022 mund të jetë vit i vështirë sepse edhe rrethanat në tregjet ndërkombëtare nuk janë të favorshme. Është krijuar pasiguri e madhe me luftën e mundshme në Ukrainë që mandej ka ndikim të madh në tregjet financiare, të kapitalit. Rritja e çmimit të energjisë nuk do të jetë vetëm, ngarkesë në vlerën e faturës por do të shfaqet edhe në koston e prodhimit dhe mund të presim që rritja e çmimit të produkteve elementare të vazhdojë edhe për një kohë. Janë rritur edhe çmimet e derivateve që na reflektojnë kur mbushim veturën. Investime të jashtme nuk duket që do të ketë që ndikojnë në rritjen e punësimit. Sektori i bujqësisë ka pasur rritje të imputeve bujqësore së paku për 25 %. Mund të shohim më shumë ferma të mbyllura. Në buxhetin e vitit 2022 nuk ka asnjë projekt të madh që ka efekte në ekonomi. Është fatkeqe që kemi një qeveri që nuk ka fare vizion se sit ë përballet me të gjitha këto sfida”, tha Hoti.
Mes tjerash, Hoti potencoi se opozita është e koordinuar në fuqizimin e agjendës shtetërore. Hoti lavdëroi punën e ish-ministrit Zemaj, ndërkaq shtoi se ka pasur tendenca që pandemia të menaxhohet online kur ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi qëndronte jashtë vendit për punë familjare.
“Opozita është e koordinuar në çështje të caktuara. Ne kemi programin tonë qasjen tonë të bërit opozitë dhe kontributi që japim në shoqëri përmes njerëzve tanë gjithmonë në funksion të fuqizimit të agjendës shtetërore. E mirë është që ka rënë intensiteti pak. Ne kemi menaxhuar pandeminë në kohën më të vështirë. Punën që e ka bërë ministri Zemaj unë besoj që do të mbetet në periudha afatgjate për veprimet që duhet ti ndërmarrë një qeveri në menaxhim të situatës me pandeminë. Ka pasur tendenca që pandemia të menaxhohet online kur ministri i shëndetësisë qëndronte jashtë vendit për punë familjare”, ka thënë Hoti.