Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka kritikuar kryeministrin aktual të vendit, Albin Kurtin, se qeveria e tij, po e nis dhe po e mbyllin ditën pa asnjë punë të kryer.
Siç shkruan Hoti, me qeverisjen e Kurtit, krizat e reja po i mbulojnë ato të vjetrat, dhe sipas tij ka zero transparencë nga ai për dialogun, meqë potencon se opozitën po e njoftojnë ndërmjetësuesit çka po diskutohet në Bruksel.
”Kosova nuk po qeveriset. Krizat e reja po i mbulojnë të vjetrat. Kreu i Qeverisë, që më shumë rri jashtë vendit se brenda, mban konferenca për media për të menaxhuar krizat, e jo për të promovuar projekte e punë të reja. Zyrtarët e Qeverisë e nisin dhe e mbyllin ditën pa asnjë punë të kryer.
GREVA NË ARSIM: Asnjë përpjekje nga qeveria për të parandaluar grevën. Viti i ri shkollor mund të mos fillojë sipas planit. Qeveria nuk po bisedon me sindikata për të gjetur një zgjidhje që i merr parasysh kërkesat e sindikatave dhe mundësitë buxhetore.KRIZA ME RRYMË: Asnjë plan se si do të kalojmë dimrin që po vjen. Situata është kritike në mes të verës. Askush nuk di pse në mes të verës ka reduktime kur konsumi i energjisë është relativisht i ulët. Çmimi i drurit dhe peletit, si alternativë për ngrohje, është dyfishuar që tani. Ndërmarrjet e energjisë elektrike (KEK, KEDS, KESKO e KOSTT) janë në kaos sa i përket borxheve ndaj njëra-tjetrës.INFLACIONI: Asnjë masë nuk është ndërmarrë – as rritje e pagave e as ulje e përkohshme e tatimeve. Inflacioni ka arritur në 19%, e jo 14% siç e nxjerrin shifrat zyrtare. Rritja e çmimeve të lëndëve të para ka paralizuar aktivitetin ekonomik të shumë firmave. Asnjëherë nuk është takuar “Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik” për të diskutuar për sfidat e bizneseve.DIALOGU: Transparenca është zero. Askush nuk di se çfarë po bisedohet në Bruksel. Opozitën e informojnë ndërmjetësit e dialogut se çfarë po ndodh dhe çfarë po i kërkohet Kosovës”.