Shefi i Grupi Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avullah Hoti, ka thënë se Kuvendi e Qeveria kanë bërë shkelje të praktikave demokratike që në javën e parë të funksionimit.
Hoti ka thënë se kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë “dhunues” të demokracisë, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për gazetarët, Hoti radhiti shkeljen e rregulloreve, përfshirë mbylljen e seancës së thirrur nga opozita dhe votimin e Qeverisë pa debat parlamentar.
“Veseli në seancën e parë e ka shkelur Rregulloren e Punës të Kuvendit, nenin 50.5, ku theksohet se“Mocioni për ta mbyllur debatin shqyrtohet vetëm nga kryetarët e grupeve parlamentare dhe votohet menjëherë”. Ai e ka shkelur këtë nen duke mos e nxjerr menjëherë në votim mocionin e opozitës”, tha ai.
“Ndërkaq, kur një deputet i shumicës parlamentare propozoi mocionin e njëjtë, ai mocion u hodh menjëherë në votim dhe u mbyll debati. Është një precedent i rrezikshëm për demokracinë kur vetë shumica parlamentare kërkon të mos debatohet me rastin e votimit të Qeverisë”.
“Kjo është Qeveria e parë në 17 vite që votohet pa debat parlamentar. Për të mbajtur një debat për ekspozenë e mandatarit për kryeministër, LDK ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme. Seanca është caktuar të dielën më 10 shtator 2017. Pozita nuk është paraqitur në seancë”.
“Deputetët e opozitës janë fyer në sallë dhe jashtë salle. Kryeministri ka deklaruar “kjo opozitë nuk meriton të jem në seancë”. Ndërkaq Deputeti Krasniqi ka deklaruar se “opozita po bën cirk”. Si mund të bëjnë cirk 53 deputetë që kanë nënshkruar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme?”.
“Z.Haradinaj po harron se qysh në seancën e radhës do të ketë nevojë për votat e opozitës të shumicës shqiptare prej 59 deputetëve. Ligjet që janë në interes të shtetit të Kosovës nuk mund t’i qojë përpara me Listën Serbe”, u shpreh Hoti.
“Ai do ta vërtetojë së shpejti këtë në seancën e parë të rregullt kurdo që do të mbahet. E kanë gabim z.Veseli dhe z.Haradinaj nëse e injorojnë një opozitë prej 59 deputeteve. Sepse, nuk ka parlament e as vendime të parlamentit pa vota”.
LDK do ta thërrasë në interpelancë Haradinajn për Rikalon
Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës është bërë krah i qeverisë së Beogradit. Ai ka përmendur edhe dyshimet për ministrin e Bujqësisë Nenad Rikalo, që sipas banorëve të lagjes “Dardania” gjatë luftës në Kosovë ka kryer krime ndaj civilëve.
Hoti tha se ministri Bujqësisë Nenad Rikalo duhet të shkarkohet. Ai ka paralajmëruar edhe thirrjen e një interpelance për këtë rast.
“Ne do të thërrasim në interpelancë Kryeministrin për të sqaruar para deputetëve dhe qytetarëve të vendit se çfarë do të punojë Ministri i Zhvillimit Rajonal, Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ne do të ndërmarrim veprimet e nevojshme brenda Kuvendit të Kosovës për të ndaluar shkeljet që z.Veseli po i bënë Rregullores të Punës të Kuvendit”.
“Kryeministri duhet të jap përgjigje për akuzat ndaj Ministrit të Bujqësisë, z.Nenad Rikallo. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e akuzave, ky ministër duhet të shkarkohet menjëherë. Në të kundërtën, z.Haradinaj do të përballet me të gjitha format demokratike të kundërshtimit. E them me keqardhje të thellë për Qeverinë e vendit tim se është bërë zgjatim i Qeverisë së Beogradit”.
“Është krijuar nga pazare të ulëta politike. Ju është dhënë pushtet atyre personave që personalisht pretendohet se janë përgjegjës për dhunën dhe vrasjet ndaj popullit të Kosovës. Aq larg ka shkuar lakmia për pushtet sa pranojnë t`i fyejnë e poshtërojnë për së dyti qytetarët, duke i legjitimuar dhunuesit, terrorizuesit dhe armiqtë e Kosovës. Kjo duhet të marr fund”.
“E kemi pranuar me shqetësim të madh deklarimin e Qeverisë se nuk kanë informata për këtë person, ndërkohë që dëshmitarë okularë flasin publikisht për veprimet e këtij personi. Nuk është me rëndësi a ka AKI, Policia apo Prokuroria të dhëna për veprimet e këtij personi, por çfarë thonë qytetarët okulare, fqinjët e tij”.
“Përgjigjja e z.Haradinaj është jo serioze dhe e papërgjegjshme. Ai duhet të kërkojë deklaratë nga ministri i tij, jo nga AKI, Policia dhe Prokuroria. Prokuroria dhe policia duhet të veprojnë menjëherë sipas informatave nga qytetarët. Ata tani kanë informacione. Nuk mund të arsyetohen se në dosjet e tyre nuk ka asgjë për këtë person”.
Hoti: Kryeministri e ka nisur punën me fyerje për gazetarët dhe qytetarët e vendit
Sipas Hotit, Qeveria Haradinaj ka filluar me fyerje të gazetarëve duke i quajtur të pashkollë madje ai ka përmendur edhe rastin e njërit të deputetëve të AAK-së ka kërcënuar një gazetar me jetë.
“Qeveria e ka nisur mbrapsht nga votimi i saj dhe po vazhdon njësoj. Në paraqitjen e parë të tij publike, Kryeministri fyen gazetarët si të pashkollë. Ndërkaq, një deputet i tij kërcënon me jetë një gazetar. Kjo nuk guxon të vazhdojë. Ne do të jemi gardianë të kushtetutës dhe të drejtave qytetare nga një kryeministër i tillë”.