Kreu i Qeverisë Avdullah Hoti i është përgjigjur emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili nga Beogradi, tha se Kosova duhet të shkojë përtej Kushtetutës nëse do të arrijë marrëveshje me Serbinë.
Hoti tha se Kushtetuta është prekur në vitin 2013 kur në Kuvendin e Kosovës është ratifikuar marrëveshja e nënshkruar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ne jemi në proces të dialogut me një platformë të qartë. Nuk preket integriteti territorial i vendit.. Marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, obligative, me pikën e parë për njohje reciprok. Kushtetuta është prekë në vitin 2013 kur është ratifikuar kjo marrëveshje”.
Ai ka përsëritur se kjo çështje është e mbyllur dhe nuk do të hapet më, ndërsa theksoi se nuk pret që dialogu të bllokohet për shkak të kësaj.
“Nuk pres që procesi i dialogut të bllokohet për shkak të saj”.
Ai ka përsëritur gjithashtu se asgjë për të cilën do të arrihet dakordi me Serbinë nuk do të zbatohet përderisa nuk arrihet marrëveshja finale, e cila sipas tij, pikën e parë duhet ta ketë njohjen reciproke.
Nga zyrtarë të Ministrisë së Financave është paralajmëruar ulja e pagave në sektorin publik, shkaku i situatës me pandeminë.
Por, kryeministri Avdullah Hoti, ka bërë me dije se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, raporton EO.
“Nuk do t’i prekim pagat në sektorin publik, për shkak se është ndërtuar një kornizë e qëndrueshme e buxhetit”.