Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka qenë i pari që e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë, ku pritet të shpallen zgjedhjet e brendshme partiake, raporton Ekonomia Online.
Në këtë mbledhje, me caktimin e datës së Kuvendit të ri Zgjedhor, LDK-ja hapë edhe garën për kandidaturat e reja zyrtare për kryetar të partisë.
Kuvendi i ri, përveç Kryetarit, pritet të nxjerrë edhe Kryesinë e re të partisë dhe organet tjera drejtuese.
Në LDK, një proces i brendshëm zgjedhor ka më shumë se një vit që është duke u zhvilluar në disa degë të partisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës kuvendin e fundit zgjedhor e ka zhvilluar me 14 mars 2021, pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 14 shkurt të atij viti, që çoi në dorëheqjen e ish-kryetarit Isa Mustafa. Nga ky Kuvend, LDK-ja doli me kryetar të ri – Lumir Abdixhikun – dhe me kryesi të re. Përballë tij, Abdixhiku kishte edhe dy kandidatë tjerë për kryetar të LDK-së, nënkryetarin Lutfi Haziri dhe anëtarin e kryesisë, Besian Mustafa.
Kryetari aktual, Lumir Abdixhiku pritet që sërish të synojë drejtimin e partisë për një mandat të plotë, duke kërkuar besimin nga strukturat e reja të partisë të zgjedhura nga procesi i brendshëm në LDK, që përfundon me Kuvendin e ri zgjedhor.