Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës me atë të Qeverisë së Shqipërisë është bërë tashmë një ngjarje e zakonshme.
Ai ka thënë se këtë konstatim e nxjerr duke parë marrëveshjet e nënshkruara në mes të dy vendeve në shumë fusha.
“Me këto marrëveshje që do t’i nënshkruajmë sot hymë në një fazë të re të bashkëpunimit ndërshtetërorë”, ka thënë Hoti në Tiranë.
Ai aty ka folur edhe për përballjen e Kosovës me pandeminë e COVID-19 dhe ndikimin e saj në ekonominë kosovare.
“Po kalojmë nëpër një kohë të veçantë për shkak të pandemisë që na ka kushtuar me jetë të qytetarëve, ka prekur mënyrat se si e shohim jetën tonë tash dhe në të ardhmen. Është prekur sistemi ynë ekonomik, shëndetësor… Në rastin e Kosovës tash po shohim rezultatet e një veprimi të organizuar mirë, bashkërendimi me institucionet tjera dhe të koordinuar me shtetet e rajonit”.
“Ka numër të vogël të rasteve të reja të infeksioneve dhe atyre me fatalitet. Kemi krijuar një partneritet të veçantë me bizneset duke dizajnuar masa që prekin ato. Ne mund ta përmbyllim këtë vit me rënie të ekonomisë nga -1 deri -3 përqind nga parashikimet që kemi pasë me -11 përqind”.