Hoti në Gjilan, subvencionet s’do të ndahen nga burokratët në Prishtinë

Rahovec | 24 Maj 2017 | 14:54 | Nga Jehona Zhuniqi

Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti në Gjilan pas takimit me Lutfi Hazirin ka vizituar fabrikën e industrisë së mishit “Kalabria”, ku është pritur nga shumë fermerë dhe i cili ka shpalosur programin e tij për bujqësi.

Hoti ka thënë se gjatë këtyre ditëve po mundohet të komunikojë me të gjithë qytetarët për të treguar programin e tyre, raporton Ekonomia Online.

Hoti ka thënë se do të jetë i pakompromis edhe ndaj atyre që kanë keqpërdorur fondet e dedikuara për sektorin e bujqësisë.

Ai ka thënë se do të bëjë një reformë në menaxhimin e subvencioneve në fushën e bujqësisë, ku rolin primar do ta ketë pushteti lokal.

“Sot e kam bërë publike se do ta trefishojmë buxhetin për bujqësi duke e ndarë edhe pjesën e subvencioneve dhe do ta ndërrojmë qasjen. Do të kujdesimi se subvencionet të shkojnë te bujku, fatkeqësisht po e them se jo çdo herë subvencionet janë shkuar në duart e tyre, nuk munden burokratë nga Prishtina t’i ndajnë subvencionet. Subvencionet do të ndahen përmes komunave”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se pika e tretë e programit është sistemi i ujitjes.

Gjithashtu ai ka thënë se edhe do të formojnë fondin për dëmet që do të shkaktohen në bujqësi dhe këtë do ta rregullojnë përmes një fondit.

“Për mua si kandidatë për kryeministër nuk ka gjë më të rëndësishme se njerëzve do t’u krijojmë punë. Na kanë munduar shumë ballafaqimet politike. Do të koncentrohemi te qytetarët. Normalisht edhe qytetarët të lëvizin lirshëm pa viza”, ka thënë ai.

Lutfi Haziri kryetar i Komunës së Gjilanit ka thënë se e kanë zgjedhur këtë ambient pasi që këtu janë mbledh të gjithë fermerët.

Ai ka thënë se janë në një proces zgjedhor, duke iu referuar Avdullah Hotit si kryeministër i ardhshëm.

“Kemi program dhe politika të qarta buxhetore se si mund të kthehet puna në toka të pëlleshme të Anamoravës”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme