Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci në interpelancën e thirrur për kryeministrin Hoti në Kuvendin e Kosovës lidhur me personat e pagjetur ka thënë se në marrëveshjen e 4 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë është bërë trajtim i dëmshëm i temës së të pagjeturve ku është kushtëzuar me personat e zhvendosur.
Kryeministri Avdullah Hoti në fjalën e tij ka mohuar se në marrëveshje është termi kushtëzim.
“Askund nuk përdoret termi kushtëzim, këtë term nuk mund ta gjeni në marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington. Pika 12 e marrëveshjes specifikon saktë: Të dyja palët zotohen për të identifikuar personat e zhdukur. Nuk ka asnjë të keqe nga këto zotime dhe aty nuk ekziston fjala kushtëzim”, ka thënë Hoti.
Tutje shefi i ekzekutivit ka thënë se nëse do të ketë marrëveshje me Serbinë tema e të pagjeturve do të përfshihet në marrëveshje.
“Nëse do të ketë marrëveshje me Serbinë, pjesë e marrëveshjes do të jetë edhe çështja e të pagjeturve dhe të zhdukurve e cila do të ketë garancë ndërkombëtare”, u shpreh Hoti.
Kryeministri Hoti pranoi se mosdhënia e informacioneve nga ana e Serbisë ka ngadalësuar procesin për të pagjeturit.
“Gjetja e personave të zhdukur gjatë luftës ka pasur ngecje pasi pala serbe nuk ka ofruar informacione. Për procesin janë angazhuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë dhe për këtë ka pasur edhe ngecjet e veta”, tha Hoti.