Hoti në Tajvan: Kosova ka histori të jashtëzakonshme

Prishtinë | 14 Mar 2023 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryemistri i Kosovës, Avdullah Hoti, iu drejtua sot deputetëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile nga shumë vende të botës, në Forumin për Transparencë dhe Monitorim Parlamentar, i cili po mbahet në Tajvan.

“Sot, në hapje të Forumit për Transparencë dhe Monitorim Parlamentar në Tajvan, pata nderin tu drejtohesha deputetëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile nga shumë vende të botës. E falënderova NDI nga SHBA, WFD nga Britania e Madhe dhe CCW nga Tajvani për ftesën dhe mundësinë që t’u drejtohem të pranishmëve në këtë Forum”, ka njoftuar Hoti përmes një postimi në Facebook.

Ai, ka thënë se tani Kosova është një demokraci e re, por e konsoliduar dhe transparenca parlamentare në Kosovë është vendosur përmes mekanizmave, që përfshijnë zyrën e OJQ-ve në Kuvend, konsultimet e rregullta të Kuvendit me OJQ, përfshirja e OJQ-ve dhe qytetarëve në përgatitjen e ligjeve, si dhe përcjellja elektronike e gjithë procesit të përgatitjes së ligjeve etj.

“Theksova se këto arritje janë bërë për një kohë relativisht të shkurtër — nga viti 2008, kur Kosova e ka shpallur pavarësinë, e këndej”, shkruan Hoti.

“Kosova ka histori të jashtëzakonshme. Një person në Kosovë, që është i moshës 40-vjeçare, e ka ndërruar shtetësinë katër herë. Në lindje e ka marrë shtetësinë e Jugosllavisë. Mandej, gjatë viteve të 1990-ta e ka marrë shtetësinë e Federatës Serbi – Mali i Zi. Pas luftës të 1998-1999, e ka marrë pasaportën e UNMIK-ut. Dhe, në fund, nga viti 2008, ka pasaportë të Republikës së Kosovës”, ka thënë, ndër të tjera, Hoti.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe deputetë të tjerë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Rumania, po marrin pjesë në Forumin për Transparencë dhe Monitorim Parlamentar, i cili po mbahet sot në Tajvan.

Të ngjashme