Kandidati për shef qeveria nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka kërkuar mbështetje nga qytetarët e Vushtrrisë për të quar në vend, siç ka thënë ai, amanetin e presidentit Rugova për anëtarësim në BE dhe në NATO dhe për të ruajtur miqësinë me aleatët ndërkombëtar, raporton EkonomaiOnline.
“Kudo që shkojmë tubimet ë LDK-së i përngjajnë tubimeve që i ka mbajtur një herë në një kohë Rugova. Ky është koalicion i fitores pa asnjë diskutim sepse vala e njerëzve që janë në tubime e tregon këtë. Unë kërkoj në emër të këtij koalicioni që të na mbështesni për të jetësuar programin që sjell rritjen më të madhe ekonomike që ka pasur ndonjëherë Kosova”, tha Hoti.
Hoti u garantoi qytetarëve të Vushtrrisë se me trefishimin e buxhetit për bujqësi që tu ndihmoj për të prodhuar patate dhe kultura të tjera për të siguruar të ardhura për vete dhe fëmijëve të tyre.
Ai ka thënë se është krenar për besimin që i është dhënë për t’i prirë një ekipi atdhetar, kompetent dhe përfaqësues.
“Këto zgjedhje janë referendum për të ardhmen e Kosovës. Koalicioni i fitores që kemi ndërtuar ne, jo vetëm që i ka frikësuar, por siç po dëshmohet përditë, i ka çoroditur oponentët tanë politikë. Jam i sigurt se më 11 qershor, qytetarët e Kosovës do të përcaktohen për ne”, ka thënë Hoti.
Hoti u ka bërë thirrje qytetarëve të Vushtrrisë, që më 11 qershor të demonstroni qytetarinë që ju karakterizon, duke i dhënë përmbajtje fitores sonë të thellë, fitores për Kosovën tonë.
“Bashkimi ynë në këtë koalicion është natyral. Prandaj edhe programet e partive që janë pjesë e këtij koalicioni janë harmonizuar lehtësisht. Rivalët tanë nuk po ofrojnë program qeverisës, por po kërkojnë vota për t’i bërë kryeministra kandidatët e tyre”, ka thënë Hoti.
Mustafa: Kemi një listë të shkëlqyeshme të zonjave të cilat do t’i japin frymë Kuvendit
Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, tha se në listën e këtij koalicioni janë shumë gra të cilat do ti japin frymë tjetër Kuvendit të Kosovës.
“Kemi një listë të shkëlqyeshme të zonjave të cilat do ti japin frymë dhe pamje krejt tjetër Kuvendit të Kosovës të cilat meritoj të kenë mbështetjen tuaj”, ka thënë Mustafa.
Mustafa, gjatë bashkëbisedimit me qytetarë ka thënë se ne kemi plan konkret për bujqit.
“Nga janari 2018, trefishojmë subvencionet për bujqësi. Me grante do të zëvendësojmë gjithë makinerinë bujqësore dhe grantet nuk do të lejojmë të keqpërdoren, sikur i kanë keqpërdorur ata deri tani. Programi i profesor Hotit dhe partnerëve të koalicionit parasheh trefishimin e tokave nën sistemin e ujitjes”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se përmes Ligjit për Investime Strategjike, që me shumë mund kemi arritur ta miratojmë, do të inkurajojmë investimet e jashtme.
Pacolli: Me koalicionin e shpresës nuk do të ketë vend për zhvatësit
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se pas 10 viteve në politikën kosovare, tash edhe shpirtërisht e përjeton një situatë krejtësisht tjetër duke besuar kështu në ndryshimet politike që e presin Kosovën, raporton EO.
“Do të ndodhë diçka e re që do ta drejtojë Kosovën nga civilizimi dhe prosperiteti. Jam i lumtur që jemi bashkuar me familjen e madhe Rugoviane, kjo na jep edhe më shumë fuqi që të gjithë se bashku të punojmë për një Kosovë dinjitoze.
Pacolli para vushtrriasve ka thënë se Avdullah Hoti është njeri i dijës, qytetarëuar, me tradita familjare dhe që meriton respekt, duke shprehur kështu mbështetjen e Aleancës Kosova e Re për kryeministrin e ardhëm të Kosovës, Avdullah Hotin.
“Gjatë punës sonë të përbashkët unë jam bindur se synimi juaj është zhvillimi i Kosovës, mirëqenia e qytetarëve dhe ardhmëria e ndritshme e rinisë tonë të mrekullueshme. Ne do t’ju japim mundësi të rinjve tanë që të tregojnë për idetë e tyre, të cilat ne do t’i mbështesim edhe financiarisht”, ka thënë presidenti Pacolli .
Presidenti i AKR-së ka shtuar se koalicioni i shpresës do ta krijoje një shoqëri, ku nuk do të ketë vend për zhvatësit.
“Koha e presioneve dhe udhëheqjeve me forcë e shantazh ka kaluar, tash është koha për njerëzit që do ta ndërtojnë Kosovën e që do ta zhvillojnë ekonomikisht. Ne jemi bashkuar sot dhe së bashku jemi edhe më të fortë”, ka shtuar numri një i AKR-së, duke ju bërë thirrje qytetarëve të Vushtrrisë që me datë 11 qershor ta votojnë koalicionin e së ardhmes .