Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ministri i Financave Avdullah Hoti, në prani të ambasadorit të Austrisë në Prishtinë Gernot Pfandler, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e ri negociuar për bashkëpunim financiar me Qeverinë e Republikës së Austrisë.
Kjo marrëveshje është si rezultat i takimeve bilaterale të zhvilluara ndërmjet dy vendeve, ku gjatë takimeve të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për thellimin e bashkëpunimit financiar duke ndryshuar marrëveshjen e deritanishme për bashkëpunim financiar me shtetin austriak.
Deri më tani nga kjo Marrëveshje kanë përfituar 2 projekte, projekti për e-edukimin i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe projekti për Kardiologjinë i Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjatë negociatave për ndryshimin e marrëveshjes është dakorduar që shumës së mbetur të kredisë prej 15 milionë euro ti shtohen edhe 15 milionë euro tjera, ku në total janë 30 milionë euro të cilat do të përdoren për të investuar në projekte të ndryshme.
Ndërsa, sa i përket projekteve që do të përfshihen në këtë marrëveshje, palët janë dakorduar që së bashku të krijojnë listën e projekteve që janë duke u financuar dhe që pritet të financohen nga kjo Marrëveshje.