Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk mund të lejojnë që të rrezikohet partneriteti i Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, nga veprime të papërgjegjshme, sikur përpjekja për zhbërjen e Gjykatës Speciale.
“Biseduam me ambasadorin e ShBA-së, atë britanez, me zyrtarët e BE-së, se cilat janë hapat e nevojshëm. LDK-ja nuk shkatërron atë që është bërë për 17 vite. Biseduam si të koordinohemi që të ndërmarrim hapat si forcë më e madhe politike në vend. Nuk do lejojmë që të rrezikohet Kosova prej veprimeve të papërgjegjshme”, tha Hoti, për gazetarët.
“Sonte keni parë disa zhvillime dramatike të panevojshme. Kosova s’ka nevojë që disa parti të sillen në këtë mënyrë”.
Hoti i bëri komentet pas takimit të Grupit Parlamentar të LDK-së, ku merrnin pjesë dhe deputetët e Vetëvendosjes, si dhe ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie; ai i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell, si dhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Kusari-Lila: Kosova po e rrezikon shtetësinë
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, tha se me përpjekjen që të shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale, Kosova po e rrezikon shtetësinë e saj.
Sipas saj, me këtë veprim Kosova ka rrezikuar që të kthehet në kohën e Rezolutës 1244. “Sot dikush u ndie i pasigurt dhe shkaktoi këtë tollovi”, tha ajo.
“Kosova po vazhdon me hapa të ngadaltë drejt integrimit dhe në mënyrë të menjëhershme ua kthen shpinën miqve të saj. Me një veprim të pamatur të krerëve, Kosova e rrezikoi shtetësinë e saj”, u shpreh Kusari-Lila.
Ajo theksoi se Gjykata Speciale nuk mund të ndalet. Por, shtoi se me këto veprime, shtete si Rusia mund t’i shkaktojnë dëm të riparueshëm shtetit të Kosovës.
Kusari-Lila i bëri komentet pas takimit të Grupit Parlamentar të LDK-së, ku merrnin pjesë dhe deputetët e Vetëvendosjes, si dhe ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie; ai i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell, si dhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës për të dytën herë ka dështuar për të shqyrtuar kërkesën e 43 deputetëve për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, pasi nuk ka pasur prapë kuorum për të mbajtur mbledhjen.