Hoti numëron faktorët e rritjes ekonomike të vitit 2021: Tërheqja e trustit, dërgesat e diasporës

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka numëruar faktorët e rritjes ekonomike të vitit 2021. Hoti thotë se janë tre faktorë që kanë mundësuar tejkalimin e shpejtë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia covid-19.

Sipas Hotit, të tre këta faktorë lidhen me zhvillimet e vitit 2020, duke përmendur tërheqjen e kursimeve nga Trusti, dërgesat e diasporës etj.

Postimi i tij i plotë:

KUSH ËSHTË BURIMI I RRITJES EKONOMIKE TË VITIT 2021?

Janë tre faktorë që kanë mundësuar tejkalimin e shpejtë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia covid-19 dhe kthimin e ekonomisë së Kosovës në trajektoren e saj të rritjes ekonomike, e cila trajektore zanafillën e ka në pakot fiskale 1 dhe 2 të viteve 2014-2017.

Të tre këta faktorë lidhen me zhvillimet në vitin 2020:

(1) Pakot e rimëkëmbjes ekonomike (përfshirë tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional) që kanë mundësuar të futen në ekonomi rreth 700 milionë euro;

(2) Koordinimi i Qeverisë dhe Bankës Qëndrore gjatë vitit 2020 për ri-programim të kredive të bizneseve dhe qytetarëve për të shtyrë pagesën e interesit dhe kryegjësë për disa muaj; dhe

(3) Dërgesat e diasporës gjatë vitit 2020 që kanë arritur nivele rekorde.

Dy faktorët e parë janë rezultat i veprimeve qeveritare dhe institucionale, ndërsa i treti lidhet me natyrën altruiste të diasporës tonë për të ndihmuar të afërmit në Kosovë.

Këto veprime kanë mundësuar që kriza të tejkalohet qysh në tremujorin e parë të vitit 2021 dhe t’i kthehemi rritjes ekonomike solide gjatë gjithë këtij viti.

Ekonomistët e mirëfilltë duhet të gjurmojnë lidhjet shkak-pasojë, e jo të interpretojnë të dhënat shumë përciptas duke e shtrembëruar të vërtetën me apo pa qëllim.

Të ngjashme