Hoti: Përveç Kosovës, hetimi për sulmin terrorist në veri duhet të shtrihet edhe në Serbi

Prishtinë | 29 Sht 2023 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Ish- kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se është shumë e rëndësishme që, krahas hetimit për sulmin terrorist, të normalizohet jeta e qytetarëve në komunat në veri.

Sipas tij, këto hetime duhet të jenë shumë profesionale dhe në koordinim me ndërkombëtarët.

“Hetimi sigurisht se duhet të shtrihet edhe në Serbi, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar që duhet të ndërmerret për këtë sulm”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas Hotit, është shumë e rëndësishme që, paralelisht me këto hetime, të punohet për normalizim të shpejtë të jetës së përditshme në ato komuna.

Ai në katër pika ka dhënë sugjerimet e tij për situatën pas sulmit terrorist që ndodhi të dielën në veri:

  1. Hetimet e institucioneve të Kosovës lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit duhet të jenë shumë profesionale e të kujdesshme, si dhe në koordinim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që janë të vendosura në Kosovë. Hetimi sigurisht se duhet të shtrihet edhe në Serbi, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar që duhet të ndërmerret për këtë sulm.
  2. Është shumë e rëndësishme që, paralelisht me këto hetime, të punohet për normalizim të shpejtë të jetës së përditshme në ato komuna. Në këtë drejtim, duhet të vendoset komunikim i ngushtë me komunitetin serb në çdo lokalitet përmes këshillave lokale për t’i mbajtur të informuar dhe për t’i siguruar se do të kenë mbrojtjen e nevojshme. Qytetarëve atje, e kemi për obligim tu krijojmë ambient të sigurt që të dërgojnë fëmijët në shkollë, të kryejnë obligimet e tyre familjare e të punës, si dhe të lëvizin lirshëm.
  3. Pikat kufitare duhet të hapen sa më parë dhe të normalizohet qarkullimi, por edhe të sigurohet mbikëqyrje e plotë e vijës kufitare nga ana e KFOR-it.
  4. Ndërkaq, zgjidhja e përhershme afatgjate në veri duhet të jetë politike, përmes dialogut, dhe në koordinim të plotë me aleatët euro-atlantik, në veçanti SHBA-në.

Të ngjashme