Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep priti në takim pune Kryetarin e Federatës së Shahut të Kosovës, Nystret Avdiun dhe Sekretarin gjeneral të kësaj federate, Barhan Misini.
Në këtë takim u bisedua për mundësinë e bashkëpunimit me Unionin Evropian të Shahut. Veç kësaj, Hoti u shpreh falënderues ndaj Kryetarit Avdiu dhe federatës që ai përfaqëson për bashkëpunimin që ata po ofrojnë për implementimin e Programit Nacional për Rininë, konkretisht për garën e shahut nëpër shkolla.
“Për ne do të ishte e rëndësishme që të fillojmë bashkëpunim me Unionin Evropian të Shahut. Shahu është një sport shumë i rëndësishëm për shëndetin mendor, prandaj organizimi i aktiviteteve së bashku me ju, është shumë i rëndësishëm. Pres nga ju të kontribuoni në këtë bashkëpunim dhe të vazhdoni përkrahjen që po na ofroni për Programin Nacional për Rininë. Ju do të ndihmoni në realizimin e garave nëse dilni në terren nëpër shkolla dhe bisedoni nga afër me nxënësit për garën e shahut”, tha Hoti.
E Kryetari Avdiu pasi përgëzoi Koordinatorin Hoti për programin, tha se është për t’u vlerësuar që përkrahja që po i bënë ai sportit të shahut.
“Diçka më e mirë në shahun e Kosovës nuk ka ndodhur moti. Më vjen mirë që dikush i nivelit tuaj po e përkrah sportin e shahut. Është detyrë e jona që të ngrisim së bashku shahun në nivel më të lartë. Ne do të ofrojmë të gjitha mundësitë tona për bashkëpunim edhe me Federatën Evropiane, edhe për garat nëpër shkolla. Meqë ne kemi klube të shahut pothuajse në çdo qytet, propozoj që të nga këto klube të caktohet nga një person në rolin e inspektuesit nga federata për garën e shahut nëpër shkolla”, tha Kryetari Avdiu.
Shahu është një nga kategoritë e sporteve për të cilin do të mbahen garat në të gjitha shkollat e Kosovës, të parapara në Programin Nacional për Rininë që është hartuar nga Zyra e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport.