Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka publikuar disa nga pikat e programit qeverisës të partisë së tij për të cilin ai thotë se është në finalizim nga Këshilli i Ekspertëve.
Ai tha se qeveria e re do të jetë një qeveri normale, me njerëz kompetentë e atdhetarë, që respektojnë ligjin dhe që ruajnë miqësitë
“Kosova shpejt bëhet me qeveri të re, e cila mbi të gjitha do të jetë qeveri normale, pro-evropiane, që forcon miqësinë me SHBA-të, që tregon pjekuri politike, që respekton rendin kushtetues të Kosovës dhe parimin e ndarjes së pushteteve, që është e përgjegjshme karshi Kuvendit që e ka zgjedhur”, tha ai.
Hoti theksoi se në fillim është e domosdoshme sanimi i dëmeve që po i lë prapa qeveria e PAN-it.
“Si një qeveri e kaosit, e zhvatjes së buxhetit, e izolimit të lidershipit të Kosovës, e dështimit të diplomacisë dhe çnjohjeve për shtetin e Kosovës, e ministrave me aktakuza, e takimeve me njerëz të krimit, që urdhëron e kërcënon prokurorë, që i refuzohet viza nga vendi më mik i Kosovës, që ndan buxhet për frizere e roleta, që shpërdoron buxhetin në përvjetorë të pavarësisë e në projekte të ndryshme, që merr vendime vetëm për interesa ekonomike të këshilltarëve të vetë, që ja dyfishon pagën vetes, që ndaj pronën publike e nacionalizon pronën private kundërligjshëm, qeveri me pesë ‘kryeministra’, 21 ministra, 80 zëvendësministra, me qindra këshilltarë e me koordinatorë nacional”, tha ai.
E pas sanimit të këtyre dëmeve, sipas shefit të LDK-së, plani katërvjeçar do të përfshijë reforma rrënjësore në ekonomi, arsim, shëndetësi, sundim të ligjit, siguri nacionale, integrime rajonal e euro-atlantike dhe fusha të tjera.
Pikat e prezantuara nga Avdullah Hoti:
(i) Në fushën e ekonomisë, bizneset do të marrin prapë frymë lirisht, pa u përkëdhelur askush e pa i rënë në qafë kujt, përfshirë këtu eliminim e të gjitha kontratave të dëmshme e monopoleve jo ligjore. Do të zbatohet plotësisht Pakoja Fiskale 2, që ka mbetur përgjysmë, dhe bashkë me bizneset do të përgatitet Pakoja Fiskale 3. Buxheti do të arrijë menjëherë 3 miliard, sepse nuk do të ketë ”rrjedhje” të të hyrave. Do të finalizohet bashkimi i ATK-së me Doganat, që është harruar, si dhe fiskalizimi on-line i bizneseve. Bujqit do të mbështeten më shumë, por bazuar në sasinë e prodhimit. Bjeshkët dhe lumenjtë do të ruhen, e do të rishikohen licencat e dhëna pa përmbushur kushtet ambientaliste.
(ii) Arsimi do të lirohet nga diktati i kryeministrit dhe ministrit të arsimit. Politikat arsimore do të përgatiten dhe zbatohen nga profesionistët më të mirë, me fokus në cilësinë në arsim në të gjitha nivelet dhe gjithë përfshirje në arsimin para-universitar. Librat e nxënësve nuk do të shkruhen nga njerëz që nuk e kuptojnë ku kanë arritur standardet e të nxënit në shekullin XXI.
(iii) Në shëndetësi, urgjentisht do të funksionalizohen sigurimet shëndetësore, të cilat janë harrur. Investimet publike do të shkojnë në modernizimin e shërbimeve shëndetësore.
(iv) Në fushën e rendit dhe ligjit, na duhet vetingu dhe reforma që sigurojnë sistem efikas, ku barra e provës kalon tek pala. Policia jonë do të jetë efikase në të katër anët e Kosovës, duke ofruar mbrojtje të përhershme për qytetarët, e jo vetëm përmes aksioneve policore të njëhershme. Gjykatësit dhe prokurorët nuk do të guxojë t’i urdhërojë dhe kërcënoj askush. Ministri i Drejtësisë do të qëndrojë larg Këshillit Gjyqësorë dhe Këshillit Prokurorial, që janë pushtet i pavarur nga Qeveria.
(v) Diplomacia do të jetë efektive dhe profesionale, fillimisht duke eliminuar nepotizmin dhe politizimin. Duhet nisur me një rishikim funksional të rrjetit të diplomacisë, pasi ambasadat janë mbushur me militantë e njerëz jo kompetent, që po na kushtojnë miliona euro, pa asnjë përfitim për shtetin e Kosovës. Ambasadat do të mbështeten me atashe ekonomik, ushtarak, policor, kulturor e arsimor, për të fuqizuar bashkëpunimin me shtetet mikëpritëse, për të mbështetur qytetarët tanë që jetojnë në ato vende dhe për të promovuar mundësitë për investime në Kosovë.
(vi) Kosova do të jetë faktor paqe e stabiliteti në rajon. FSK-ja, me dyfish më shumë buxhet, do të përgatitet për tu avancuar drejt ushtrisë, në partneritet me NATO-n dhe vendet mike. Shërbimi ushtarak do të jetë i obligueshëm, në përputhje me standardet e vendeve anëtare të NATO-s.
(vii) Për qeverinë e ardhshme, integrimet rajonale do të thellohen krahas integrimit evropian. Me Shqipërinë e Maqedoninë do të arrihen marreveshje të veçanta lidhur me bashkëpunimin ekonomik, pikat doganore të unifikuara, unifikimi i tregut energjetik me Shqipërinë, arsim i lartë i integruar, kalendar të përbashkët kulturor etj. Porti i Shengjinit do të funksionalizohet me marrëveshje për eksterritorialitet dhe fusha të tjera të bashkëpunimit rajonal.