Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka treguar se cili do të jetë prioriteti i tij nëse arrin të fitojë zgjedhjet e 11 qershorit.
I pyetur nga Ekonomia Online se cili do të ishte hapi i parë që do ta merrte nëse arrin të bëhet kryeministër, Hoti ka thënë se në ditët e para të qeverisjes së tij do të fus në fuqi Pakon Fiskale II.
Kjo për shkak se sipas tij shumë bizneseve do t’u krijohen mundësi për të ecur përpara duke krijuar vende të reja pune.
“Unë i premtova që në ditët e para të qeverisjes se ardhshme do të fusim në fuqi edhe Pakon e II Fiskale për ti mundësuar këtij dhe shumë bizneseve sikur ky që të ecin përpara dhe të krijojnë vende të reja të punës. Këta janë për mendimin tim heronjtë e Kosovës që krijojnë vende të reja të punës, krijojnë të ardhura dhe krijojnë stabilitet për familjet kosovare”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për atë se si e kanë gjetur ekonominë ne vend kur e kanë marrë qeverisjen në vitin 2014 dhe për punën që është bërë gjatë Qeverisë Mustafa.
“Ju e dini ku e kemi gjet ekonominë kosovare në vitin 2014 me borxhe shumë të mëdha dhe me rritje ekonomike prej 2 për qind dhe e kemi përmbyll vitin 2016 me rreth 4 për qind rritje ekonomike, e kemi rrit buxhetin e shtetit me rreth 400 milionë euro prej një trendi negativ kur e kemi gjet, kemi krijuar 40 mijë vende të reja të punës, kemi nis projekte madhore që asnjëherë nuk janë marrë me mënd që mund të fillojnë kaq shpejtë me të gjithë ato probleme që i kemi pas më veçanti autostradën që është një projekt prej 140 milionë euro që tani më kanë filluar procedurat për realizimin e këtij projekti që e lidh krejt regjionin e Anamoravës, Luginës së Preshevës me pjesën tjetër të Kosovës, me Maqedoninë, me Shkupin dhe me gjithë pjesën tjetër të Kosovës”, ka thënë Hoti.
Këto komenti Hoti i bëri gjatë vizitave që i bëri dje disa bizneseve në Gjilan dhe Rahovec.