Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK- AKR- Alternativa (LAA), Avdullah Hoti, ka thënë se ekziston mundësia të bëhet shumica parlamentare nga parti tjera, mirëpo pa Partinë Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, nuk ka nevojë që të bëhet qeveria me bazë të gjerë, pasi sipas tij qeveri me bazë të gjerë bëhet atëherë kur asnjë parti politike nuk mund të bëjë shumicën.
“Ka mundësi të bëhet shumica parlamentare nga partitë e tjera, pa përfshirë PDK-në. Prandaj nuk ka nevojë të bëhet qeveri me bazë të gjerë. Qeveri me bazë të gjerë bëhet vetëm atëherë kur asnjë parti nuk mund të bëjë shumicën”, ka thënë Hoti për Telegrafin.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme koalicioni LAA ka zhvilluar një takim ku është diskutuar konkretisht për ftesën e Presidentit Hashim Thaçi për takim të përbashkët me përfaqësuesit e partive politike, para thirrjes së seancës së konstituimit të Kuvendit.
Ndryshe, takimi konsultativ i thërritur nga Presidenti, Hashim Thaçi, do të mbahet në hënën në orën 10:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.