Kryeministri Avdullah Hoti tha se nuk ka dërguar komente në Hagë lidhur me amendamentin e propozuar nga presidenti Hashim Thaçi për mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të vendosura në Hagë.
Hoti është përgjigj shkurt se nuk e ka bërë këtë gjë, raporton Ekonomia Online.
“Jo nuk kam dërguar”, deklaroi Hoti.
Këto komente ai i bëri pas homazheve me rastin e 31-vjetorit të rënies së heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare. Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Më pas kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka nisur letër Ekaterina Trendafilovas, kryetares së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, rreth kërkesës së bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për bërjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mandatin e këtyre Dhomave që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale.