Kandidati i Koalicionit të partive të djathta për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë të dielën në Pejë, se koalicionin e natës do t’i mundim më 11 qershor, siç i ka mundur Gazmend Muhaxheri, në zgjedhjet lokale më 2013, ku ishte koalicioni i njëjtë.
“Ne nuk shantazhohemi nga askush. Neve nuk mund të na kërcënojë e as të na frikësojë askush, me asgjë, sepse ne i kemi duart e pastra. Vetëm ne i kemi duart e pastra. Ne do ta mundim koalicionin e natës siç i ka mundur koalicionin e njëjtë Gazmend Muhaxheri në Pejë në vitin 2013”, ka thënë Hoti.
Para mijëra simpatizantëve të Pejës, Hoti ka potencuar se këto zgjedhje janë referendum për të ardhmen e Kosovës.
“Ne kërkojmë votën e qytetarëve të Kosovës, sepse kemi ekip atdhetar, kompetent dhe përfaqësues. Bashkimi ynë në këtë koalicion është natyral. Prandaj edhe programet e partive që janë pjesë e këtij koalicioni janë harmonizuar lehtësisht. Rivalët tanë nuk po ofrojnë program qeverisës, sepse përveç fjalëve koti nuk kanë asgjë konkrete për zgjidhjen e çështjeve jetike me të cilat përballen qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Hoti.
Ai i ka porositur pejanët dhe gjithë qytetarët e Kosovës, që mos të lejojnë që të rrezikohet e ardhmja e vendit nga koalicione dhe kandidatë që kanë probleme me personalitetin e tyre.
“Ju duhet të vendosni që qeverinë e ardhshme ta drejtojmë ne, jo ata. Institucionet e Kosovës duhet të drejtohen nga Lidhja Demokratike e Ibrahim Rugovës dhe nga partnerët e saj të koalicionit, AKR, Alternativa dhe Lëvizja Për Drejtësi”, ka pohuar Hoti.
Kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Hoti është një politikan i mençur, i dijshëm, këmbëngulës dhe me duar të pastra.
“Profesor Hoti është një evropian i vërtetë i cili meriton të udhëheqë një Kosovë evropiane. Ai i ka të gjitha kapacitetet për të drejtuar një qeveri që e meriton vendi ynë”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se me gjithë potencialin e tij do t’i japë përkrahje kryeministrit të ri, Avdullah Hotit.
“Ne ia kemi borxh Rugovës dhe popullit të Kosovës një lidership politik me duar të pastra, të dijshëm dhe vizionar. Ne jemi trashëgimtarët e denjë politikë të Presidentit Rugova, profesionalë dhe me duar të pastra, pa asnjë aferë korruptive dhe kriminale”, ka thënë Pacolli.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, pasi i ka falënderuar të pranishmit, ka shprehur bindjen se LDK dhe koalicioni i shpresës do të shënojnë fitore më 11 qershor.
“Ne, në Pejë, me besimin e qytetarëve tanë, në katër vitet e kaluara e mundëm koalicionin që sot e kemi përballë. Edhe kësaj radhe, fitorja jonë do të nisë në Pejë dhe do të shtrihet në tërë Kosovën”, ka thënë Muhaxheri.
Ai ka shtuar se ndër të arriturat kryesore të Pejës ka qenë zhdukja e zhvatjes dhe haraçit. “Patëm premtuar se do ta zhdukim zhvatjen dhe haraçin dhe e bëmë këtë, patëm premtuar infrastrukturë dhe e bëmë. I bëmë të gjitha, sepse ne jemi njerëz të punës, të besës dhe të fjalës, siç ishin themeluesit e LDK-së dhe siç janë të gjithë njerëzit e LDK-së, siç ishte Presidenti historik Ibrahim Rugova”, ka theksuar Muhaxheri, i cili e ka falënderuar edhe kryeministrin Mustafa për mbështetjen që i ka dhënë.
“Komuna e Pejës e pati ndihmën e Qeverisë Mustafa dhe ne i falënderojmë për kontributin e tyre të dhënë në zhvillimin e Pejës”, ka përfunduar Hoti.
Kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari Lila ka thënë se Alternativa e ka kuptuar se e vetmja alternativë për Kosovën është bashkimi i forcave demokratike të të gjitha partive bashkëkohore evropiane rreth një programi të mirëfilltë, i cili do ta kthejë timonin e zhvillimit të Kosovës në drejtimin pozitiv, i cili më 12 qershor 2017, do ta bëjë Kosovën që në ditën e 18 vjetorit të çlirimit, të festojë ditën e fillimit të epopesë së zhvillimit të Kosovës.
“Ky koalicion, përveçse e ka idenë dhe mençurinë, e ka edhe guximin e mveshur në listën e saj, të prirë nga njeriu, i cili e ka guximin, forcën dhe vendosmërinë për ta shtyrë Kosovën përpara në proceset në të cilat të tjerët e ngecën”, ka potencuar Kusari Lila.
“Sot, me Pejën dhe për Pejën flasin dhe duan të marrin merita të tjerët. Pleqnarëve të Rugovës dhe gjithë tjerëve që e kanë kuptuar rëndësinë e shtetit të zhvilluar, u them t’u mos u besojnë aspak atyre që privatizuan qindra e mijëra hektarë të tokave të Kosovës në mënyrat më të paligjshme e sot thirren në kauzën se, kinse e mbrojnë tokën e Kosovës”, ka thënë ajo.
Sipas Kusari Lila “sot kemi qenë dëshmitarë të frymës së fitores në Deçan, në Junik, në Pejë, nesër në Gjakovë dhe kjo tregon për mbështetjen që koalicioni i shpresës e ka në Dukagjin, se Dukagjini njihet për trimërinë, besnikërinë dhe mençurinë. Bashkë do ta festojmë fitoren e madhe më 11 qershor”.