Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim njohës komandantin e ri të KFOR-it Gjeneral-Majorin, Franco Federici.
Me këtë rast, Kryeministri Hoti dhe Komandanti Federici biseduan për situatën e përgjithshme të sigurisë në vend, të cilën e vlerësuan të qetë dhe stabile.
Kryeministri Hoti falënderoi komandantin e ri të KFOR-it Gjeneral-Majorin Federici, për punën e jashtëzakonshme të pjesëtarëve të këtij misioni paqeruajtës gjatë 21 vjetëve të pranisë në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë për vazhdimin e bashkëpunimit reciprok.