Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën plenare ka kritikuar Qeverinë Kurti për rritjen e çmimeve të produkteve bazike, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se viti 2022 do të jetë shumë i vështirë për familjet dhe bizneset. Mes tjerash, Hoti ka kërkuar që të rriten subvencionet dhe pagat.
“Dua të sjellë në vëmendje rritjen e kostos së jetesës. E para janë rritur çmimet e produkteve bazike. Është rritur çmimi i energjisë elektrike, tarifa e ulët është rritur 104 për qind ajo e larta 85 për qind”, u shpreh ai.
Ai tha se “Tek fusha e investimeve, po e them realitetin përkundër deputetëve të VV-së, nuk ka asnjë investim”.
“Kemi parë bllokimin e OSHP-së që ka bllokuar miliona euro investime. Është rritur pasiguria në tregjet globale edhe për shkak të zhvillimeve në Ukrainë. Kemi rritje të çmimit të gazit. E di që këto probleme nuk i ka sjellë Qeveria aktuale, por mosveprimi po e rëndon gjendjen. Viti 2022 do të jetë shumë i vështirë për familjet dhe bizneset. Duhet rritur subvencionet e pagat”, u shpreh tutje Hoti.