Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një konferencë për medie, tha se opozita në këtë legjislaturë ka luajtur rol aktiv duke mundësuar ndryshime pozitive, raporton Ekonomia Online.
Hoti ka vlerësuar se opozita është treguar e vendosur dhe konstruktive duke mbrojtur interesat shtetërore.
“Jem duke luajtur një opozitë të vendosur, konstruktive në raport me interesat shtetërore dhe qytetare. Këto e kanë bërë grupin tonë si gardian të problemeve të shumta”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, grupi parlamentar i LDK-së ka qenë mjaft aktiv në çështjet e rëndësishme si buxheti e programi i Qeverisë.
“Kemi qenë mjaft aktiv edhe tek raportet si ai i BQK, ai për kursime pensionale e raporte tjera. Kemi qenë mjaft aktiv edhe gjatë deklaratave jashtë rendit të ditës ku kemi ngritur çështje në interes të qytetarëve si shpenzimi i parasë publike, për çështje të drejtësisë, dy raste për çështje sociale, për liberalizim vizash, për dialogun Kosovë-Serbi”, tha ai duke shtuar se kanë ngritur 35 pyetje parlamentare drejtuar kryeministrit.
“Kemi qenë mjaft aktiv tek shqyrtimi i projektligjeve. Siç e dini të gjitha projektligjet kanë qenë të udhëhequra nga LDK. Ligji për bashkësitë fetare, ligji për Prishtinë, për pronën e paluajtshme, për ndërmjetësim për shoqërinë e plotë ligje tjera”, ka theksuar ai.
“Kemi luajtur rol të rëndësishëm të ligji i buxhetit dhe që kanë qenë amandamente kyçe qe kemi prezantuar në këtë ligj. Po ashtu kemi qenë grup shumë aktiv që kemi kërkuar interpelanca, dy për ministrin e Bujqësisë, pastaj edhe për gjuajtjen me armë të ministrit të Diasporës”, tha ai.