Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti sot zhvilloi takime pune të ndara me drejtorin komunal të arsimit Vushtrri Afrim Namani dhe stafin e tij, si dhe me drejtorin e arsimit në Gjilan, Nazim Gagica.
Në të dyja takimet u diskutua për rrjedhën e zbatimit të Programit Nacional për Rininë në këto komuna si dhe koordinatori Hoti i njoftoi drejtorët se shpërblimet për nxënësit janë duke u realizuar si dhe përgëzoi drejtorët për angazhimin e tyre në organizimin e garave paraprake.
Në Vushtrri Hoti tha se 1421 nxënës fitues nga garat nacionale janë sukses i jashtëzakonshëm i arritur nga drejtoria e arsimit, transmeton lajmi.net.
“Ju përgëzoj për angazhimin dhe punën e deritanishme sepse Programi Nacional për Rininë u realizua me sukses falë punës suaj. Sa i përket shpërblimeve, ne jemi duke realizuar të gjitha shpërblimet e parapara në program. Me këtë sukses do të vazhdojmë tutje për të plotësuar të drejtat kushtetuese të nxënësve dhe për t’u dhënë atyre hapësirën e nevojshme. Ne do të angazhohemi maksimalisht që të sigurohen edhe mjetet e nevojshme për garën shkollore në mënyrë që të mos ketë pengesa në zbatim”, tha Koordinatori Hoti.
Suksesin e nxënësve në gara dhe efektet pozitive të saj i pohoi edhe drejtori i arsimit në Vushtrri, Afrim Namani i cili tha se kanë punuar shumë për mbarëvajtjen e suksesshme të garës në të gjitha nivelet.
Edhe në Gjilan Koordinatori Hoti tha se është i kënaqur me pjesëmarrjen dhe rezultatet e treguara nga nxënësit e kësaj komune në garat e Programit Nacional për Rininë ku 2189 nxënës u shpallën fitues.
Nga ana tjetër, drejtori komunal i arsimit në Gjilan, Nazim Gagica theksoi mbështetjen për programin.
“Certifikatat si simbol suksesi të nxënësve do t’i shpërndajmë në mënyrë ceremoniale. Unë do të përkrah gjithmonë projektet që janë në të mirën e nxënësve, e ky është pikërisht për të mirën e tyre”, tha Gagica.
Me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe këtë vit janë duke u mbajtur garat nacionale në sport e kreativitet në kuadër të Programit Nacional për Rininë.