Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se trafikimi me qenie njerëzore është shkelje elementare e të drejtave të njeriut, raporton Ekonomia Online.
Ai në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka thënë se parandalimi i trafikimit me qenie njerëzore është prioritet i Qeverisë.
“Trafikimi me qenie njerëzore është shkelje elementare e të drejtave të njeriut. Qeveria e ka prioritet ndalimin e kësaj dukurie”,
“Padyshim se trafikimi me njerëz i lëndon viktimat, i dëmton ekonomitë tona dhe forcon krimin e organizuar. Ekziston një kornizë e plotë ligjore për luftimin e kësaj dukurie. Parandalimi i këtij krimi duhet të ndodhë me të gjitha mjetet ligjore që i parasheh legjislacioni ynë në fuqi. Kapaciteti ynë veprues duhet të avancohet në përputhje me zhvillimet e reja”, ka thënë Hoti.
Ai po ashtu ka folur edhe për infrastrukturën ligjore që ka Kosovë për luftimin e kësaj dukurie.
Hoti ka përgëzuar institucionet përkatëse në punën që po bëjnë në këtë drejtim, duke bërë thirrje për bashkëpunim e përkushtim për ta luftuar këtë dukuri.
“Referuar statistikave të fundit, ka një rënie të rasteve të trafikimit me njerëz dhe sigurisht se kjo ka ardhur si rezultat i punës së institucioneve”.
“E përgëzoj Policinë e Kosovës dhe të gjitha strukturat që kanë qenë të përfshira në luftimin e kësaj dukurie”.
“Është e nevojshme ta kemi një koordinim i plotë institucional për ta luftuar këtë dukuri. Përtej këtij bashkëpunimi të brendshëm, nevojitet edhe bashkëpunim më i mirë ndërkombëtar”.