Hovenier e dënon djegien e veturës në Zubin Potok: Këto janë vepra frikacake dhe kriminale

Prishtinë | 02 Nën 2022 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Pas njoftimit të Policisë së Kosovës për vënien e zjarrit dhe djegien e një veture më targa RKS në Zubin Potok, ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, këto akte Hovenier i ka quajtur kriminale dhe frikacake.

“SHBA-ja dënon djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturës RKS sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”, ka shkruar Hovenier.

Po ashtu, Hovenier e ka ritheksuar nevojën për zgjatjen e zbatimit të vendimit të çështjes së targave.

“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit, në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”, shtoi ai.

Ndryshe, të mërkurën e dy nëntorit, një veturë e tipi Hyndai me targa RKS, është djegur në Zubin Potok.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku thuhet se vetura është e një personi të komunitetit serb.

“Policia e Kosovës, më 02 nëntor, në orën 03.34 (pas mesnate) përmes linjës telefonike ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture të tipit Hyndai me targa RKS, pronë e viktimës mashkull kosovar i komunitetit serb, nga komuna e Zubin Potokut”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të policisë, thuhet se njësitë relevante policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes për të marrë veprimet e nevojshme.

“Njësitet relevante policore nga stacioni policor Zubin Potok i janë përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kanë njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes”, vijon njoftimi.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, në hetimin dhe zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënieve, të ndodhura dhe të orientuara ndaj pronave private, kryesisht ndaj veturave të regjistruara me targa lokale RKS”.

Policia e Kosovës ka ftuar të gjithë qytetarët pa dallime që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, e cila do të kujdeset në vazhdimësi në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, zbulimin e akteve të tilla kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të kryesve të këtyre veprave kriminale.

Të ngjashme