Institucionet e Kosovës nga 74 masa të planifikuara për t’u implementuar në tremujorin e dytë të vitit 2018, kanë arritur të zbatojnë vetëm 18 prej tyre.
Kështu bëri të ditur ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në mbledhjen e qeverisë, gjatë së cilit prezantoi Raportin e programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së.
Hoxha tha se pa zbatuar kanë mbetur 73% e masave të planifikuara, raporton Ekonomia Online.
“Programi për këtë vit përmban 532 masa afatshkurtra, prej të cilave 144 apo rreth 27 % të tyre janë masa legjislative apo 73% janë masa zbatuese. Bazuar në të gjeturat e këtij raporti gjatë 3-mujorit të dytë janë arritur prej 24.33 % pasi që 18 nga 74 masat e planifikuara për këtë tremujor janë zbatuar, ndërsa pjesa e mbetur prej 56 masave apo 76.67% akoma nuk kanë arritur të zbatohen”.
Sipas Hoxhës, bazuar në këtë raport , kjo është performanca më e dobët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
“Kjo tregon performancë më të dobët prej institucioneve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017, pasi që gjatë asaj periudhe kishim arritur të zbatonim 32.02 %të masave të planifikuara”.
Hoxha bëri të ditur se ministria më më së shumti masa të zbatuara është Ministria e Financave me 27.27% prej tyre e përcjellur nga ajo e Drejtësisë me 21.7%, e Kulturës 20%, e Tregtisë 19.23 %, e kështu me radhë, raporton EO.
Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se implementimi i masave të Agjendës Evropiane të Reformave është “një plus i madh për liberalizimin e vizave”.
“Është mirë që secila ministri që e ka marrë dinamikën, përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, të aktivizohen e të zbatohen masat e parapara. Meqenëse kemi shënuar një moment pozitiv me rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave edhe vazhdojmë një konsistencë në rend dhe ligje dhe për rastet e shënjestruara edhe në rastet e grumbulluara në përgjithësi kemi një dinamikë të mirë”.
“Implementimi i masave që vijnë nga agjenda evropaine e reformës do të ishte një plus i madh për liberalizmin e vizave edhe për pozicionin e Kosovës karshi BE-së. Pra duhet të jemi të kujdesshëm dhe të jemi të saktë”.