Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka raportuar në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane, lidhur me përmbushjen e obligimeve në kuadër të agjendës evropiane.
Ministrja Hoxha, para anëtarëve të këtij komisioni ka bërë të ditur se në takimin e fundit që ka pasur në Bruksel ka marrë mesazhe të qarta se pa ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, nuk mund të kemi liberalizim të vizave, raporton Ekonomia Online.
Madje ajo tha se komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Johannes Hahn ka kërkuar që të rritet presioni për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndaj opozitës dhe të tjerëve.
Këto komente ajo i bëri pas pyetjes së deputetes së PDK-së, Blerat Deliu-Kodra lidhur me qëndrimin e BE lidhur me mos ratifikimin e demarkacionit.
Deliu-Kodra, pati edhe një njoftim për anëtarët e komisionit. Ajo konfirmoi se Kryetari i Komisionit Shtetëror për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi për herë të parë do t’i paraqes të gjeturat e reja para komisionit për Integrime Evropiane brenda disa ditëve.
“Komisoneri Hahn ka kërkuar që të ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi dhe se ka nevojë të ngitet presioni nga qytetarët për opozitën dhe të tjerët. Ndërsa Avramopolos ka thënë që demarkacionin është i domosdoshëm që proceset e Kosovës të ecin përpara”.
Pas përgjigjes së ministres për presionin mbi opozitën dhe të tjerët deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi tha se ka pasur presion qytetarë dhe pikërisht ky presion ka ngritur të gjitha këto dyshime për pikën kufitare.
Ai shtoi se është duke u punuar në gjetjen e rrethanave të cilat janë duke u dyshuar.
Ministrja më tej shtoi se në kuadër të përmbushjes së agjendës evropianë ka mbetur pa miratuar ligji për suspendimin.
“Zyrtarëve të lartë në raste të dyshimit për keqpërdorimit të detyrës zyrtare në bazë të këtij ligji duhet që të suspendohen”.
Me këtë konstatim të ministres mbeti i habitur deputeti Armend Zemaj, nga LDK. Ai tha se po harxhohet kohë me deklarime të panevojshme për qëndrimet pozitë-opozitë e nga kjo sipas tij, po pësojnë më së shumti qytetarët.
Ai ka thënë se asnjë ligj nga qershori i këtij viti nuk është miratuar për agjendën e integrimeve evropiane.
“A aq shume zyrtare të korruptuar kemi ne në institucionet tona që duhet të nxjerrim një ligj për suspendimin e zyrtareve për raste te korrupsionit?”.
Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, tha se bazuar në deklarimet e zyrtarëve publik i kemi edhe dy muaj kur duhet të liberalizohen vizat, andaj sipas tij, pse kjo nuk po bëhet shumë publike tek qytetarët.
Hoxha u ka përgjigjur pyetjeve të deputetëve duke thënë se duhet të pranojmë që në agjendën evropian ne nuk kemi plotësuar të gjitha nevoja të kërkuara sipas saj, krejt kjo për shkak ngecjeve që ka pasur Kosova edhe në kohën e zgjedhjeve. Ajo foli edhe një herë për demarkacionin, raporton EO
“Çështja e demarkacionit unë në takimet e mija në Bruksel kam informuar për zhvillimet e fundit me qeverinë e re, duke shtuat këtu edhe ndërrimit e komisionit dhe punën e këtij komisioni pa dyshim kusht kyç mbetet ratfikiminin kësaj marrëveshje, këtë sheshtës ka qenë që kjo marrëveshje të kaloj pasi që janë zgjedhjet e komisionit evropiane sepse ata do të kenë shumë punë dhe nuk do kenë mundësi të na ndihmojnë”.
“Për presionin qytetarë kam qenë e prerë, por edhe veprimet e zyrtarëve të cilat nuk po i përfundojnë, duhet të ketë përgjegjësi më të madhe qofshin ata ministra apo kushdo qofshin duhet të din se proceset e agjendës evropiane do të përfundojnë. Këtë e ka bërë të fiturar edhe kryeministri. Sa i përket marrëveshjes së MSA nëse shohim për dy vite kemi arritur në 34% të implementimit të kësaj marrëveshje dhe nuk mund të themi që s’ka pasur progres për këtë marrëveshje”, ka thënë ajo.