Hoxha: BE-ja s’mund të jetë e plotë pa vendet e Ballkanit

Prishtinë | 20 Shk 2017 | 10:51 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha në Samitin e Komisioneve për Punë të Jashtme të Parlamenteve të Shteteve të Evropës ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i plotë pa vendet e Ballkanit.

Ajo në këtë samit, nën organizimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës tha se Ministria që ajo drejton ka për qëllim fuqizimin e sektorit të drejtësisë dhe sundimit të ligji, raporton Ekonomia Online.

“Ministria e Drejtësisë, ka për qëllim fuqizimin e sektorit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit dhe kjo është njëra prej obligimeve kryesore që rrjedhë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit”, tha Hoxha.

“Ballkani është një vend me një histori të begatë, por për fat të keq me shumë tragjedi. Sot më shumë se kurrë ka nevojë për fqinjësi të mirë. Javët e kaluara na treguan se sa e brishtë mund të jetë paqja nëse të gjitha vendet nuk angazhohen për të”.

Hoxha ka thënë se dëshirojnë që komponenta e zbatimit të ligjit të jetë ana e fortë e Kosovës.

“Ne duam që komponenta e zbatimit të ligjit të jetë ana e fortë e Republikës së Kosovës. Ministria e Drejtësisë është duke punuar që të përmirësojë llogaridhënien e prokurorëve, gjyqtarëve, duke reformuar në aspektin ligjor edhe procedurat disiplinore, ndërsa në kuadër të agjendës për reforma evropiane Ministria e Drejtësisë ka vendosur që ta hartojë koncept-dokumentin që ka të bëjë me pezullimin përkatësisht largimin nga detyra të zyrtarëve të lartë publik të asociuar apo të dënuar për vepër penale”, ka thënë ajo.

“Ky koncept-dokument do të jep rekomandimet specifike se cilët janë hapat që duhet ndërmarrë Kosova për të caktuar një çështje e cila është kërkuar nga Bashkimi Evropian përmes agjendës për reforma evropiane”, ka thënë ajo.

Ministrja, Hoxha ka pranuar se Kosova do t’i përfundojë të gjitha detyrat që i kërkohen për të qenë pjesë integrale e Bashkimit Evropian.

Në vazhdën e këtyre aktiviteteve dhe reformave të ndërmarra, Ministrja Hoxha përmendi edhe sektorët tjerë në të cilët po punohet me intensitet të shtuar me qëllim të avancimit dhe fuqizimit të sundimit të ligjit, që është prioritet i Republikës së Kosovës si e vetmja rrugë drejt integrimit në strukturat evropiane.

Ministrja Hoxha theksoi rëndësinë dhe gatishmërinë e bashkëpunimit midis BE-së dhe Kosovës me qëllim të forcimit të pavarësisë, paanshmërisë, llogaridhënies dhe efikasitetit të gjyqësorit në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit.

Ajo u bëri thirrje për mbështetje të vazhdueshme nga të gjitha institucionet relevante evropiane, si dhe nga përfaqësuesit e pranishëm në këtë konferencë, për të qenë pjesë integrale e të gjitha vlerave të Bashkimit Evropian, duke i promovuar dhe duke i mbrojtur këto vlera si pjesë të kulturës tonë, identitetit tonë të djeshëm, të sotëm dhe të nesërm, në pajtim me moton e BE-së, të bashkuar me diversitet.

Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha theksoi se ngjarjet e javëve të kaluara treguan se sa e brishtë është paqja nëse ne nuk punojmë për të ardhmen.

Të ngjashme