Hoxha: Lufta kundër korrupsionit në fokus të Ministrisë së Drejtësisë

Prishtinë | 18 Kor 2016 | 17:50 | Nga

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka pritur sot nё takim Ambasadoren e Zvicrës, Krystyna Marty Lang dhe zëvendësambasadoren Anita Schlüchter Roth.

Gjatё kёtij takimi Ambasadorja Lang uroi ministren Hoxha për emërimin e saj në krye të Ministrisë së Drejtësisë, duke e cilësuar këtë të fundit si një ndër sektorët më të rëndësishëm.

Ambasadorja po ashtu shprehu gatishmërinë e misionit që ajo drejton për të mbështetur Ministrinë e Drejtësisë në fushën e sundimit të ligjit dhe theksoi se Ambasada e Zvicrës mbetet e përkushtuar që të mbështesë edhe më tutje Ministrinë e Drejtësisë, me theks tё veçantë në fushën e noterisë, çështjen e personave të zhdukur, bashkëpunimin juridik ndërkombëtar.

Ambasadorja Lang u fokusua po ashtu në rëndësinë e bashkëpunimit me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadoren pёr bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar bashkëpunimin që institucionet e Kosovës kanë dhe vazhdojnë tё kenë me Ambasadën e Zvicrës, sidomos në fushën e rendit dhe sundimit të ligjit.

Ministrja Hoxha informoi Ambasadoren Lang se lufta kundër korrupsionit, pavarësia e gjyqësorit dhe zvogëlimi i numrit të lëndëve në Gjykata janë disa elementet kyçe në të cilat do të fokusohet puna e Ministrisë së Drejtësisë. Ministrja Hoxha po ashtu informoi Ambasadoren Lang se gjatë drejtimit të Ministrisë së Drejtësisë, puna e saj do të udhëhiqet nga tre parime kryesore që janë: transparenca, përgjegjësia dhe llogaridhënia.

Ministrja Hoxha theksoi se mbetet e përkushtuar qё tё punojë intensivisht për të kthyer besimin në drejtësi. Të dy bashkëbisedueset shprehën vullnetin e plotë për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme