Të gjithë djemtë dhe vajzat janë të barabartë para ligjit për të trashëgua, andaj nuk duhet hequr dorë së kërkuari të drejtën sa i përket trashëgimisë.
Kështu tha ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha pas vizitës që i bëri Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, ku u prit nga rektori Shaban Buza.
Ministrja Hoxha tha se kjo është vizita e radhës që po u bënë universiteteve publike për të bartur mesazhin se para ligjit janë të gjithë të barabartë.
Ajo gjatë ligjëratës para studentëve të këtij universiteti, tha se e drejta për trashëgimi i takon secilit, andaj ftoi që të mos heqin dorë nga një gjë e tillë.
“Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë një varg veprimesh që i kontribuojnë fuqizimit të sundimit të ligjit. Jo vetëm me rishikimin funksional të sistemit të sundimit të ligjit, por edhe ndryshimet dhe hartimin e ligjeve që luftojnë krimin e organizuar, konfliktin e interesit, çrrënjosjen e korrupsionit dhe fuqizimin e gjyqësorit. Kontributi i të rinjve, në veçanti i studentëve në shoqëri është i madh, andaj, reagoni kur nuk respektohet ligji”, theksoi ministrja Hoxha, duke theksuar se, për barazinë para ligjit dhe të drejtat të barabarta në trashëgimi duhet bërë me shumë për sensibilizimin e kësaj çështje e cila fuqizon gruan dhe familje.
Ndërsa Rektori, Shaban Buza, ka falënderuar Ministren Hoxha për vizitën dhe bashkëbisedimin duke theksuar se sundimi i ligjit është prioritet edhe i këtij institucioni superior dhe akademik, duke theksuar se ndihet krenare që shtatëdhjetepesë përqind e studentëve janë femra.
“Ne ndajmë mendimin që femra dhe vajza është shtylla e familjes, është shtylla e shoqërisë dhe zhvillimit dhe pa emancipim dhe zhvillim të femrës nuk mund të ketë edhe zhvillim Kosova”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se mesazhi i ministres do t’u ndihmojë studenteve femra që ta gjejnë rrugën e duhur dhe të jenë konkurrente dhe kompetente në studimet e tyre.
Ministrja Hoxha gjatë kësaj vizite ka takuar edhe stafin akademik të këtij universiteti.