Hoxha: Pacientët e vaksinuar që infektohen me Covid-19 kanë më pak dëmtime në sistemin respiratorë

Prishtinë | 31 Gus 2021 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Pacientët e vaksinuar po kanë më pak dëmtime në sistemin respiratorë në rast se po infektohen me COVID-19, raporton Gazeta Express.

Kështu së paku është shprehur drejtori i Klinikës së Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Musa Hoxha.

I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ai ka thënë se nga 87 pacientë të shtrirë në këtë klinikë, 9 janë të vaksinuar me një dozë të vaksinës, ndërsa 6 me dy doza.

Ai është shprehur se pacientët e vaksinuar që janë infektuar kanë një gjendje më stabile dhe dëmtimet në sistemin respiratorë i kanë më të vogla.

“Sot nga 87 të shtruar, 9 i kemi të vaksinuar me një dozë dhe 6 të vaksinuar me dy doza.

Pacientët e vaksinuar kanë gjendje sa më stabile, dhe sa i përket dëmtimeve në sistemin respiratorë janë shumë më të vogël”, ka thënë ai.

Hoxha është shprehur se gjatë këtyre tre javëve, vetëm një person i vaksinuar ka vdekur në këtë klinikë për shkak të infektimit me virus.

Ai ka deklaruar se viktima ka qenë një grua 72 vjeçare që ka qenë e vaksinuar me një dozë të vaksinës.

“Gjatë këtyre tri jave, ne vetëm një rast e kemi pasur që ka qenë me një dozë, një grua e moshuar 72 vjeçare”, ka theksuar ai.

Hoxha ka folur edhe për stafin shëndetësor, me ç’rast ka thënë se kanë mungesë të infermierëve.

Por që, ai ka deklaruar se me rekrutimin e stafit shtesë që pritet të bëhet këtë javë, do të plotësohen nevojat e tyre.

“Tashmë të gjithë jemi së bashku në këtë luftë kundër kësaj pandemie, normalisht që gjithmonë ka nevojë për resurse humane, por sa i përket mjekëve kemi dhe kemi parur, sa i përket stafit të mesëm, infermierëve, ka pasur mungesë pak më të madhe. Tash besoj që rregullohet gjithçka. Stafi qëndron aty por pak është i mbingarkuar”, ka shtuar ai.

Të ngjashme