Rezultatet e raportit të Mjekësisë Ligjore për vdekjen e Astrit Deharit ende nuk janë bërë publike. Prokuroria e cila po merret me zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Deharit është në pritje të këtyre rezultateve.
Kryeprokurori, Sylë Hoxha, ka thënë për Gazetën Express, se janë duke i pritur rezultatet nga ana e Mjekësisë ligjore.
Hoxha është shprehur se prokuroria është në fazën e hetimeve për mbledhjen e provave për hartimin e shkresës së lëndës për rastin Dehari.
“Ende nuk i kemi rezultatet e autopsisë. Ne jemi duke punuar duke u marrë me veprimet hetimore lidhur me këtë çështje. Ne po presim kur të na informojnë Mjekësia Ligjore për raportin e autopsisë. Për momentin jemi duke i mbledhur provat të cilat na duhen për shkresat e lëndës”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërkohë që autopsia e trupit të pa jetë të Astrit Deharit është bërë të hënën e kaluar, dy ditë pasi Astrit Dehari kishte ndërruar jetë në paraburgim, ku ndodhej prej 67 ditësh nën dyshimin se kishte kryer sulm me zollë mbi Kuvendin e Kosovës.
E gjatë ditës së sotme pjesëtarë të shoqërisë civile, aktivistë e përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbajtur protestë duke kërkuar hetim të pavarur për rastin Dehari.
Ndërkaq askush deri më tash s’ka dhënë dorëheqje apo suspenduar pse një anëtar i dyshuar për sulm ndaj institucioneve të Kosovës vdiq në burg.
Vetëvendosje e ka bërë fajtor Shtetin e Kosovës dhe kanë konstatuar se Dehari ishte vrarë. Mirëpo, Prokuroria dhe as Mjekësia Ligjore ende nuk e kanë dhënë versionin e tyre bazuar në gjetjet e deritashme.